Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka zbardhur takimin që ambasadorja Yuri Kim zhvilloi me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi dhe deputetët Damian Gjiknuri, Jorida Tabaku dhe Monika Kryemadhi.

Në këtë takim, ambasadorja Kim shprehu shqetësimin për financimet e fshehta ruse në politikën shqiptare, të cilat i konsideron rrezik për demokracinë.

“U diskutua kërcënimi serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosja që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Takimi u mbajt një ditë pasi në një raport të inteligjencës amerikane mbi paratë ruse në partitë politike në Europë, u përmend edhe rasti i 500 mijë dollarëve të kaluara nga Rusia drejt Partisë Demokratike në vitin 2017.

Basha, i hodhi poshtë pretendimet, por anëtarë të tjerë të partisë bënë thirrje për transparencë.