Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Guido De Sanctis, ka organizuar sot një takim me ambasadorët e vendeve të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri.

Qëllimi i takimit ka qenë shkëmbimi informacion dhe bashkërendimi i ndihmës dhe qëndrimeve në lidhje me zgjedhjet lokale.

De Sanctis ka deklaruar se do të vijojë mbështetja për KQZ-në, ndërsa e quajti këtë institucion një ndër partnerët më afatgjatë e të besueshëm.

Kur mbeten më pak se dy muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Guido De Sanctis, organizoi sot një takim me ambasadorët e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar ndihmën dhe qëndrimet për zgjedhjet.

I ftuar në takim, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i njohu pjesëmarrësit me përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre. Ai falënderoi OSBE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e vijueshme për KQZ-në.

Ambasadori De Sanctis u ndal te gjetjet e raportit të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vlerësimin e Nevojave për zgjedhjet e 14 majit, si edhe risolli në kujtesë rekomandimet nga raportet e mëparshme që mbeten për t’u përmbushur. Duke e konsideruar KQZ-në si një ndër partnerët afatgjatë më të afërt e të besuar, ai siguroi se mbështetja për këtë institucion do të vijojë.

Veprimtaria e sotme ishte një takim i veçantë i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së, i cili mblidhet periodikisht për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet