“Një objektiv i ri është shfaqur para nesh. Zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki. Pas shkeljeve të kushtetutës nga ana e zotërisë, dekretoi datën e zgjedhjeve. Ne do ta përmbushim me seriozitet detyrën tonë, që në 6 këto njësi të zgjidhen kandidatët e PS-së. Për fushatën, do të organizohemi sa më mirë, mbi të gjitha duke mos e humbur fokusin nga këshillimi kombëtar”.

Kështu u shpreh, kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, këtë të hënë, ndërsa u kërkoi deputetëve që të bëjnë sa më pak politikë në këto zgjedhje. Ai u shpreh se kundërshtarët e PS-së në këtë zgjedhje do të luftojnë për mbijetesën e tyre politike në kurriz të qytetarëve.

“Forcat e angazhuara në këto 6 njësi do të jenë kryesisht forcat vendore. Mesazhet tona duhet të jenë thuajse tërësisht të lidhura me hallet dhe problemet e komuniteteve vendore të këtyre bashkive. Ndërkohë, sa më pak politikë në këto zgjedhje aq më mirë. Politikisht panorama e këtyre zgjedhjeve është e qartë, nga njëra anë ne me punë dhe nga ana tjetër kundërshtarët tonë, në 6 shtete me 12 përsheshe, 18 e mundshme edhe më shumë mbase. Nga njëra anë ne me 6 kandidatë, me 12 ose 18 kandidatë që do të luftojnë me mbijetesën politike. Nga njëra anë ne, këta që jemi, me të mirat dhe të metat tona, për të punuar për këto qytete, nga ana tjetër ata me brava, varre, trastat me dekorata, të gjithë kundër të gjithëve, për të provuar forcat mes tyre, në kurriz të atyre bashkive”, tha Rama.