Rezultat ‘kokë më kokë’ mes dy partive të mëdha në Gjermani, socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve, siç parashikojnë përqindjet e publikuara deri më tani nga Exit Pollet që kanë pyetur votuesit në dalje të qendrave të votimit.

Olaf Scholz i SPD shpreson t’i japë fund sundimit 16-vjeçar konservator me në krye Angela Merkel qëndron në kuotën e 25.7%.

Për konservatorët e Merkel, CDU/CSU parashikimet japin 24.6% të votave që do të ishte rezultati më i dobët në të gjithë historinë e partisë.

Kjo mund të konsiderohet një refuzim për të mbështetur kandidatin e tyre Armin Laschet.

Pak pas publikimit të parashikimeve, Laschet doli para mediave duke falënderuar Merkel për 16 vitet e saj si Kancelare.

Ai foli për një garë të fortë, por theksoi se CDU nuk është e kënaqur me këtë rezultat.

Nga SPD deri tani ka folur Sekretari i Përgjithshëm, Lars Klingbeil i cili tha se rezultati tregon se është koha për ndryshim. Sipas tij SPD ka një mandate të qartë për të qeverisur vendin.

Social demokratët e udhëhequr nga Scholz kanë premtuar politika në mbështetje të klimës, rritjen e pagës minimale dhe përmirësimin e kujdesit ndaj fëmijëve.

Ata kërkojnë një Evropë të fortë dhe janë të bindur për NATO-n.

Të gjelbërit janë renditur të tretët me një mbështetje më të ulët nga sa parashikonin sondazhet. Më mirë se parashikimet pritet të jenë të djathtët radikalë të Alternativës për Gjermaninë që kanë dal para liberaldemokratëve.

Nuk munguan edhe problemet gjatë votimit, të pazakonta për një vend si Gjermania. Në Berlin ku u votua edhe për parlamentin rajonal pati mungesa të fletëve të votimit, që shkaktuan radhë të gjata para qendrave.

Ndërsa kandidati kristiandemokrat Armin Lashet e palosi gabim fletën e votimit duke e bërë të dukshme zgjedhjen e tij, çka sipas Kodit Zgjedhor e shpall atë fletë të pavlefshme.

Në këto zgjedhje pati edhe rekord personash që votuan me postë por shifrat janë ende duke u përpunuar.

Sipas sondazheve pritet që për herë të parë që nga viti 1957 në Gjermani të jetë i nevojshëm një koalicion qeverisës i përbërë nga tri parti. Asnjëra nga partitë me gjasë nuk mund të arrijë shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm ose në koalicion dysh. Kësisoj konstelacionet e mundshme janë nga më të ndryshmet, si më realiste duken modelet: CDU/CSU – Të Gjelbërit – FDP, ose opsioni SPD – TË Gjelbërit – FDP. Në një koalicion të tillë do të ishte mjaft e vështirë ujdia për përmbajtjen e marrëveshjes së koalicionit për shkak të koncepteve politike me dallime të mëdha mes këtyre partive. Një koalicion SPD – Të Gjelbër – Të Majtë duket më pak i mundshëm duke iu referuar shifrave nga sondazhet paraelektorale. Ndërsa një aleancë me partinë populiste të djathtë AfD e përjashtojnë të gjitha partitë.