Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka folur në lidhje me projektligjin grek për zgjerimin me 12 milje në detin Jon.

Dendias ka bërë me dije se dje ka njoftuar BE dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama në lidhje me këtë çështje.

“Kjo çështje do jetë në fokus të bisedimeve në Berlin. Do ja parashtroj çështjen dhe Sekretarit të Natos Stoltenberg”, ka thënë Dendias.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha të mërkurën në Parlament se qeveria së shpejti do të paraqesë një projekt-ligj që zgjat ujërat territoriale të Greqisë në Detin Jon nga gjashtë në 12 milje detare.

Mitsotakis tha që Greqia në këtë mënyrë do të ushtrojë një “të drejtë sovraniteti të patjetërsueshme” në përputhje me nenin 3 të Konventës për Ligjin e Detit.

Ai tha se Greqia në të ardhmen mund të zgjasë ujërat e saj territoriale në zona të tjera detare, në përputhje me Konventën për Ligjin e Detit dhe zbatimin e vijës mesatare, ku distanca midis dy brigjeve është më pak se 24 milje.

Mitsotakis po fliste gjatë një debati mbi marrëveshjen e kufijve detarë të Greqisë me Egjiptin dhe një të veçantë me Italinë. Të dy marrëveshjet do të vendosen për të votuar ditën e enjte. Duke folur për marrëveshjet, ai tha “ato kanë rëndësi të madhe historike dhe politike”, raporton Kathemerini.

Mitsotakis u shpreh gjithashtu se në lidhje me qasjen e Greqisë është informuar edhe ministri i Jashtëm Nikos Dendias, i cili sipas tij do të zhvillojë shumë shpejt një vizitë në Tiranë për të komunikuar me autoritetet shqiptare.

Kryeministri Edi Rama dje ju përgjigj komentuesve në mediat sociale, për deklaratat e ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias për të zgjeruar ujërat e saj territorial në 12 milje detare në detin Jon.

“Te rrofte Skenderbeu ne balle kur ne koke ke Saliun dhe flet per “falje detesh” sikur flet per falje rrobash! Hajde shqipe hajde! Nuk falen detet e tokat si rroba o mik, prandaj para se te flasesh per tema te tilla, ulu lexo, rri degjo, informohu e pastaj shprehu dhe ruhu nga genjeshtrat e medha se po te kapen ne gjume, i hengre e ike ne drejtim te paditur”, shkruante Rama në përgjigjen e tij, pas ngacmimit të komentuesit.