Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi se do të kalojë tek privati për një afat 99 vjet zonën e lirë ekonomike të Spitallës.

Për këtë u ka lënë afat deri në 15 prill 2021 bizneseve të interesuara për të paraqitur oferta. Në objekt të kontratës do të jetë ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, në Spitallë, Durrës.

Vlera e kërkuar e sigurimit të ofertës është 15 milionë lekë. Për këtë procedurë konkurruese, kriteret e përzgjedhjes së fituesit, janë: propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë.

Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik Spitallë, Durrës ndodhet në veri të Qytetit të Durrësit. Sipërfaqja prej 49.1 (dyzetë e nëntë pikë një) ha i përket Zonës Kadastrale Nr. 8517 Durrës. Kjo zonë është shpallur me VKM-në Nr. 262, datë 06.04.2016 “Shpalljen e Zonës sё Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik në Spitallë, Durrës” të ndryshuar.

Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, 30 km larg Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” 37 km nga Tirana.

Dështimet me zonat ekonomike

Zonat e lira ekonomike janë lakuar qysh në kohën e qeverisë Berisha si mundësi investimi por që nuk u konkretizuan. Përveç Zonës ekonomike në Spitallë në vend është shpallur si e tillë edhe ajo e Koplikut ndërkohë që qeveria aktuale lakoi edhe mundësinë e një zone të lirë në Vlorë. Në vitin 2017 pas një procedure të zgjatur qeveria arriti të finalizonte garën për kalimin tek privati të Spitallës. Në atë kohë Ministria e Ekonomisë që bëri edhe vlerësimin e ofertave shpalli si fitues bashkimin e shoqërive Pelikani”, “The Best Construction” dhe “Vëllezërit Hysa” të cilët parashikonin parashikon ndërtimin e një fabrike për pasurimin e ferro-kromit me vlerë rreth 39 milionë euro duke hapur 2500 vende të reja pune.

Oferta e dytë nga kompania EDIL AL në atë kohë parashikonte 93 milionë euro investim për ndërtimin e kapanoneve industrial.

Procedura u kundërshtua nga operatori i dytë që nuk u shpall fitues dhe përzgjedhja e bërë nga ministria në atë kohë u kritikua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Aktualisht për Tiranën është miratuar një zonë e lirë ekonomike në zonën e Kasharit me kërkesë të Bashkisë së Tiranës. Kjo e fundit parashikon një vlerë totale investimi prej 102.6 milionë eurosh. Bashkia e Tiranës do të jetë zhvillues i zonës duke përmirësuar tokën, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme, duke mundësuar dhënien me qira tek investitorët e interesuar për të ndërtuar vetë, në bazë të specifikave përkatëse, facilitetet e nevojshme dhe impiantet e prodhimit.

“Projekti “TEDA Kashar” synon të zgjerojë gamën e industrive operuese në treg, duke krijuar diversifikim për të tërhequr industri prodhuese komplekse, siç janë industria automobile, ICT dhe ajo e pajisjeve elektronike. Projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe trualli prej afersisht 35 ha, në njësinë administrative Kashar, Bashkia Tiranë dhe pozicionohet në zonën Yzberisht, Gropaj dhe Kashar, përkatësisht në zonat kadastrale ZK 3866, ZK 1867 dhe ZK 2105” thuhej në dokumentet e Bashkisë paraqitur si argument për dhënien e statusit të investimit strategjik.

Pavarësisht planeve dhe garave deri më sot Shqipëria nuk ka të zhvilluar me sukses asnjë nga zonat e lira ekonomike të deklaruara dhe studiuara.