Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të enjten më 30 dhjetor që të deklarojë fajtorë 10 zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të akuzuar për shkelje të barazisë në një tender me fond limit 2.8 miliardë lekë, të zhvilluar në maj të vitit 2020 lidhur me uniformat dhe këpucët e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flojera Davidhi dhe Erjon Çela vendosi dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim për ish-drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim.

Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Naqellari do të vuajë 1 vit burgim. Po ashtu, gjykata ka vendosur që t’i heqë Naqellarit të drejtën për të ushtruar fiunksione publike për një afat 5-vjeçar. Dënim i njëjtë është vendosur dhe për të pandehurën Flutura Çekrezi.

Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri dhe Mariglen Buzali u dënuan me nga 10 muaj burgim.

Për të pandehurat Anisa Bogdani, Ani Omuri dhe Aurora Mulla është vendosur të pezullohet dënimi me 10 muaj burgim i caktuar ndaj tyre. Po ashtu është pezulluar dhe dënimi me 10 muaj burgim i dhënë ndaj të pandehurit Gëzim Mingaj.

I pandehuri Kleivis Hasani është dënuar po me 10 muaj burgim, masë që dhe në këtë rast është pezulluar dhe dënimi i mbetur është konvertuar me 80 orë pune që duhet t’i kryejë brenda gjashtë muajve pasi vendimi të marrë formë të prerë.

Më 10 korrik, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi se gjatë hetimit të kësaj procedure tenderimi janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik nga anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë bashkëpunuar me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, duke sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e bashkimit të subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera.

Hetimi për këtë çështje nisi pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga deputetët Myslim Murrizi, Halit Valteri dhe Halil Jakimi në gusht të vitit 2020.