Deputeti i opozitës, Myslim Murrizi njoftoi regjistrimin e partisë më të re politike “Lëvizja Demokratike Shqiptare”.

Murrizi bëri të ditur se me nismën e 4 deputetëve: Myslim Murrizi, Alban Zeneli, Halit Valteri dhe Arlind Çaçani, si dhe mbështetur nga 4602 firmëtarë nga çdo qark krijuan një subjekt politik.

“Ndoshta e para parti politike që është krijuar në 30 vite pluralizëm, pa ish-komunistë, pa ish-sigurimsa dhe spiunë Sigurimi, pa na i mbledhur firmat pushteti dhe parti politike që nuk është “shitur” nga njëri kryetar, tek kryetari blerës, siç ka jo pak të tilla”, u shpreh Murrizi.

Murrizi po ashtu deklaroi se Lëvizja Demokratike Shqiptare do të konkurrojë në çdo qark vetëm me lista 100% të hapura.

Sipas Murrizit, në Shqipëri kurrë nuk ka patur ndarje në pozitë dhe opozitë, por ndarja ka qenë në pushtet dhe depozitë.