Nga BoldNews.al

Vetëm një vit pasi Bashkia e Durrësit, e drejtuar nga Vangjush Dako akordoi rreth 1 milion euro për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori”, godina u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit, duke ngritur dyshime të forta për cilësinë e punimeve, si edhe për mungesën e kontrollit nga ana e autoriteteve shtetërore.

Komiteti Shtetëror i Rindërtimit, i krijuar për të rekuperuar pasojat e lëkundjeve sizmike, e ka përfshirë shkollën “14 Nëntori” në listën e objekteve publike që ka nevojë urgjente për rikonstruksion, në një vendim të datës 2 Korrik 2020.

Kompanitë private “Rajli Ndërtim” dhe “Varaku E” përfunduan rikonstruksionin e shkollës në vitin 2018, në bazë të një kontrate të nënshkruar me Bashkinë e Durrësit në vitin 2017.

Por, vetëm një vit më pas, investimi duket se shkoi dëm, pasi tashmë godina e “14 Nëntorit” duhet përfshirë sërish në rikonstruksion.

Situata me shkollën “14 Nëntori”, si edhe me disa objekte të tjera, ngre pikëpyetje të mëdha mbi cilësinë e punëve publike, sidomos ato të prokuruara nga pushteti vendor.

Tenderi 1 miliardë lekë

Në Korrik 2017, kryetari i Bashkisë së Durrësit në atë kohë, Vangjush Dako, shpalli bashkimin e operatorëve “Rajli Ndërtim” dhe “Varaku E” fitues të tenderit për rikonstruksionin e shkollës “14 Nëntori”.

Në bazë të dokumentave zyrtare, kompanitë fituese do të kryenin rikonstruksionin e shkollës, ndërtimin e shtesave anësore dhe palestrën e re për fëmijët.

Kontrata zgjaste 170 ditë dhe fondi limit për tenderin ishte mbi 90 milionë lekë të reja pa TVSH (rreth 1 milion euro, bashkë me TVSH).

Investimi për këtë tender është kryer nga fondet publike dhe Ministria e Financave e ka përfshirë shpenzimin në “Listën e Investimeve Publike” për periudhën 2017-2018.

Rikonstruksioni i shkollës “14 Nëntori” përfundoi në vitin 2018. Burime të “Boldnews.al” nga bashkia e qytetit bregdetar deklaruan se dorëzimi i punimeve është shoqëruar me debate ndërmjet drejtuesve të shkollës dhe zyrtarëve lokalë, përgjegjës për mbikqyrjen e punimeve.

Stafi pedagogjik kishte dyshime mbi cilësinë e punimeve, pasi shtesa e re nuk dukej e lidhur mirë me godinën ekzistuese.

Megjithatë, Bashkia e Durrësit vendosi të merrte në dorëzim punimet, duke i konsideruar të plota dhe efikase.

Por, tërmeti i 26 Nëntorit tregoi një situatë ndryshe.

Nga rikonstruksioni në rikonstruksion

Në mesnatën, duke u gdhirë data 26 Nëntor 2019, Shqipëria qendrore u trondit nga lëkundje të forta sizmike, të llogaritura deri në 6.4 ballë.

Durrësi ishte qyteti më i goditur nga tërmeti dhe shumë godina publike e private u rrëzuan apo u dëmtuan rëndë, duke dalë jashtë funksionimit.

Në vijim, Bashkia e Durrësit hartoi një listë objektesh që kishin nevojë për ndërhyrje emergjente rikonstruktuese.

Nëatë listë gjendet edhe shkolla “14 Nëntori”, e cila ishte rikonstruktuar vetëm një vit më parë.

Më tej, Bashkia e Durrësit ia përcolli listën e objekteve Komitetit Shtetëror të Rindërtimit, e cila është struktura përgjegjëse për menaxhimin e fondeve që duhen përdorur për riparimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Komiteti i Rindërtimit, pas shqyrtimit të dokumentacionit, e përfshiu shkollën “14 Nëntori” në listën e objekteve që do të rikonstruktohen me fonde publike, në vendimin nr. 32, dt. 02.07.2020.

Ndërkohë, deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare për përgjegjësi të mundshme mbi kompanitë private apo autoritetet zyrtare, lidhur me cilësinë e rikonstruksionit të shkollës “14 Nëntori”, si edhe mbikqyrjen e punimeve nga ana e Bashkisë Durrës.