Të paktën 10 persona janë shoqëruar në Policinë e Vlorës që po përpiqet të zbardhë vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljan Bullari që u gjet i pajetë mëngjesin e së shtunës në një makinë në afërsi të fshatit Babicë të Vlorës.

Të shoqëruarit kanë qenë kryesisht familjarë që kanë dëshmuar për kontaktet e të riut dhe aktivitetin e tij të kohëve të fundit. Nga hetuesit janë pyetur edhe banorë të zonës si dhe personat që gjetën makinën me trupin e pajetë. Për shkak se zona ishte e pabanuar, grupi hetimor ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve në rrugën kryesore.

Një tjetër pistë që po ndjekin hetuesit janë telefonatat dhe mesazhet në telefonin e të riut për të mësuar cilët ishin personat me të cilët u shoqërua përpara vrasjes. Ekspertiza paraprake hodhi dyshime se ai mund të ishte vrarë që mbrëmjen e së premtes.

Besohet se i riu u nxor në pritë nga persona që i njihte. Të njëjtat burime thanë se dyshohet që 25-vjeçari u qëllua nga brenda makinës, më saktësisht nga një person i ulur në vendin e parë të pasagjerit. Bullari kishte marrë 3 plumba, nga të cilët njërin në kokë duke bërë që të mos u mbijetojë plagëve.

Deri tani nuk ka të arrestuar apo të dyshuar për vrasjen. Xhuljan Bullari me origjinë nga Elbasani jetonte me familjen e tij në Tiranë. Ai kishte pak muaj që ka dalë nga burgu, pasi vuante një dënim prej 3 vite e 4 muaj heqje lirie për trafikimin e disa klandestinëve sirianë.