Nga Dashnor KOKONOZI

Shkruhet shumë dhe nuk shkruhet gjithnjë keq, por jo çdo ditë ka ide e forma të reja.
Edhe pse më vjen keq që nuk e ndjek në vazhdimësi (nuk ia del dot as ekonomikisht se botohet shumë), vërej se megjithatë, letërsia shqipe ka sekretet dhe të papriturat e saj. Vetëm se duhet të marrësh një kandil në dorë se ato nuk janë aty ku mendohet përgjithësisht. Mbi të gjitha jo aty ku bien tupanat dhe çiftelitë e miqve!
Para disa kohësh kam lexuar romanet “Eva” të Aleko Likës dhe “Varret” të Hamdi Erjon Muçës.
Mund të diskutohet për ndonjë problem redaktimi, por nuk është thelbësore.


Te romani i Likës, ka një histori interesante të një familjeje që është afër regjimit të shkuar. Çifti në qendër të tij ka një problem infertiliteti dhe dëshira për të patur fëmijë do t’i shtyjë deri në zgjidhje që e bëjnë këtë roman mjaft të veçantë. Por nuk dua të theksoj më shumë këtë se sa idenë që buron vetiu se ai regjim kishte hyrë në një fazë të tillë shterpësi sa nuk ishte në gjendje të riprodhonte më vetveten.
Eshtë një ide që nuk e kam ndeshur më parë.

Muça nga ana e tij me “Varret” tregon historinë e disa brezave të një familjeje të Shqiperisë së Mesme, problemet dhe dramat e së cilës shoqërojnë historinë mjaft të shqetësuar të vetë vendit tonë në fillimshekullin e shkuar. Eshtë një saga e vërtetë familjare, një formë narrative që vjen si një e papritur e këndëshme në letërsinë e viteve të fundit.
Siç thashë, unë për vete do të aplikoja një stil tjetër redaktimi, kam mendimin tim për ritmin e frazave në raport me ecurinë e subjektit, për shkallën e diferencimit të emocioneve të narratorve dhe autorve, etj., por vërej që si Lika dhe Muça janë ulur të shkruajnë sepse kanë pasur diçka për të thënë dhe jo sepse urrejnë të shohin pemët të rriten në pyll.