Presidenti i SHBA Joe Biden përmendi përkeqësimin e situatës së koronavirusit në Europë si një shembull paralajmërues për amerikanët që të mos ulin vëmendjen pavarësisht përparimeve me vaksinimet.

Ai i nxiti ata që të mos lejonin që ajo që po ndodhte në Europë të ndodhte edhe në SHBA.

Ai bëri thirrje për të ndjekur rregullat themelore të higjienës si maskat, larja e duarve rregullisht dhe mbajtja e distancës së rekomanduar.

“Ju lutem, ju lutem sërish që të mos lejojmë atë që po ndodh në Europë”, theksoi Biden që nuk specifikoi se cilës pjesë të Europës i referohej.

Në SHBA, numri i rasteve të reja të konfirmuara ka rënë ndjeshëm që nga janari.

Biden tha të enjten se gati 100 milion vaksina janë bërë që prej kur ai mori detyrën më 20 janar.

”Është koha për optimizëm por jo për relaksim. Rreth vendit, mesatarja e vdekjeve dhe hospitalizimeve mbetet e ulët. Por 17 shtete po përjetojnë rritje të infektimeve me Covid-19”, deklaroi presidenti amerikan.

Ndërkaq, qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve pritet të publikojë udhëzime të reja për distancimin social në shkolla, çka mund të nënkuptojë më shumë nxënës në klasa.

Teksa variante të reja më ngjitëse të koronavirusit po përhapen, autoritetet shëndetësore mbeten të fokusuar tek vaksinimi i shpejtë i sa më shumë njerëzve.