Këtë të hënë u zhvillua në Kuvend një konferencë në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave.

I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij nënvizoi se është i vetmi në sallë që nuk ka asnjë titull shkencor.

“Më lejoni t’ju drejtohem me disa fjalë si i vetmi në këtë sallë pa asnjë titull shkencor”, u shpreh Rama.

Rama nënvizoi më tej se falë Akademisë së Shkencave, ne kemi sot një gjuhë të unifikuar.

“Nëse sot ne kemi një gjuhë të shpëtuar, kjo i detyrohet akademikëve të para viteve ’90”, deklaroi Rama, duke theksuar se ky institucion mbrojti interesin kombëtar të gjuhës shqipe.

“Para viteve ‘90 kur liria ishte e kufizuar dhe hapësirat e njerëzve të shkencës ishin tejet të ngushta, por krahasimi mes para dhe pas ‘90 e bënë pas ‘90 të duket jo mirë për ta thënë me fjalë të buta përballë të gjithë atyre veprave dhe figurave. Kaq e vërtetë është sa t’ju them të drejtën kur vizitoj Akademinë e Shkencës pas ‘90 dhe dëgjoj ato kërkëllitjet e parketit të vjetër më duket sikur ishte Eqerem Çabej që rrotullohej në varr nga gjendja e dëshpëruar e atij institucioni. Institucion që mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe. Nëse sot kemi gjuhë të unifikuar dhe të shpëtuar, kjo i detyrohet akademikëve të asaj kohe dhe asaj akademie që sot është në një proces përpjekjeje për t’u rikthyer në lartësinë dhe vendin që i takon. Debatet që pasuan pas rënies së komunizmit në ballafaqimin me vendet e tjera të rajonit nuk do t’i bënim dot me argumentet shkencore që disponojmë nëse s’do na i kishin lënë trashëgimi themeluesit e Akademisë së Shkencave”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri vlerësoi akademinë gjatë kohës së komunizmit duke thënë se ishte një institucion që qëndronte i mënjanuar nga ndikimi politik dhe shoqëror i vendit.

“Akademia edhe në atë kohë aq të zymtë në aspektin e lirisë qëndronte mënjanë nga ndikimi politiko-shoqëror i vendit. Një ndër episode që do të doja të rikujtoja është fjalimi i lamtumirës së Aleks Budës në varrimin e Selman Rizës. Thuhet se ky akt i Aleks Budës, si dhe prania në varrimin e gjuhëtarit bëri bujë qoftë në institute, qoftë në mjedisin politik. Por qëndrimi i profesor Budës ishte një sfidë ndaj regjimit, por një shprehje e mënjanësisë së akademisë në nderim të dijes dhe rrugës së shkencës. Një nderim për një punë kolosale, siç ishte puna e Selman Rizës kushtuar kombit”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se falë gjuhëtarëve, sot ka argumente për t’u përballur me botën si shqiptarë, pavarësisht se politika ndërhyri për shpërbërjen e Akademisë së Shkencave.

“Nëse s’do kishin ekzistuar Çabej, Buda, do të ishim të paarmatosur në të gjithë rrjedhën e debatit të hapur mes vendeve për prejardhjen e tyre, gjuhën e tyre, historinë e tyre e kështu me radhë. Çfarë historie do të mund të shkruanim sot nëse nuk do të ishin disa prej nxënësve të atyre kolosëve të mëdhenj si profesor Paskali apo Pëllumbi. Kemi tepër argumente sot për t’u përballur me botën si shqiptarë se sa nga dialogu që pasoi dhe shkatërroi Akademinë e Shkencave, sigurisht me dorën e politikës që ndërhyri për shpërbërjen e strukturave të Akademisë së Shkencave dhe për braktisjen e atij rezervuari burimesh njerëzore që mbase ishin pjesa më e çmuar e trashëgimisë së të shkuarës. Sot jemi në kushtet kur mund të themi se falë reformës së vitit 2019 që u realizua në një ndërveprim të udhëhequr nga vetë Akademia e Shkencave dhe më lejoni ta them, edhe kjo është në vazhdën e asaj që po përpiqem të them, në lidershipin e Skënder Gjinushit. Duhet dikush i asaj kohe akademike që të garantojë këtë kohë kaotike me shpresën që të kemi dhe ne kohën tonë akademike”, tha Rama, teksa vlerësoi drejtuesin aktual Skënder Gjinushi.