Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e socialistëve për të miratuar me ligj amnistinë fiskale.

Duke folur pas mbledhjes së grupit të PS, Balla e konsideroi domosdoshmëri amnistinë fiskale për Shqipërinë në mënyrë që të kalohet nga tranzicioni.

“Ne na rezulton nga Këshillimi Kombëtar se 2/3 e qytetarëve në Shqipëri e mbështesin një nismë të tillë, e cila synon kalimin e Shqipërisë në një hap tjetër drejt formalizmit. Amnistia fiskale është një domosdoshmëri që Shqipëria të kalojë në një fazë tjetër të ndarjes nga tranzicioni i cili ka qenë bashkëshoqëruar në kohë të caktuara me informalitet. Dhe ajo që ne duam të bëjmë është pikërisht t’i japim mundësinë duke përjashtuar dhe kemi qenë shumë të qartë, duke përjashtuar çdo të ardhur nga aktivitete kriminale, korruptive, dhe duke përjashtuar të gjithë personat e ekspozuar, qofshin politikisht apo të personave me lidhje familjare me persona me të shkuar kriminale”.

Për amnistinë fiskale, Balla solli edhe shembullin e kësaj nisme që ka bërë Greqia në vitin 2004 kur ndryshoi monedhën nga Dhrahmia në Euro.

“Dhe duke bërë diçka që e kanë bërë pothuajse pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE që e kanë bërë gjatë kohës si anëtare e BE. Kujtoj këtu amnistinë fiskale të vitit 2004 në Greqi, kalimin nga Dhrahmia te Euro, solli domosdoshmëri për të bërë atë dhe është bërë. Ne do ta miratojmë amnistinë fiskale dhe besoj që çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë, përveç se apartanencës politike duhet të kuptojë që kjo është një gjë e mirë për ekonominë e vendit, qytetarët e këtij vendi dhe vendimmarrja për votën në Kuvend ka të bëjë dhe me vendimmarrjen për interesat e vendit. Nëse lufta me predha, me raketa, me tanke ndodh në Ukrainë, inflacioni i luftës dhe çdo impakt tjetër i luftës ka prekur çdo qytetar evropian dhe në mbarë globin. Kështu që në këtë këndvështrim, çdo lloj nisme që ka për synim formalizim, që ka për synim të krijojë të ardhura shtesë për financat publike, besoj që është e mirëpritur dhe ky është pra synimi ynë që të dialogojmë me të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për të kuptuar që kjo është një nismë dhe një domosdoshmëri në këtë kontekst të ri ekonomik ku inflacioni i luftës ka goditur të gjitha ekonomitë e botës dhe natyrshëm edhe Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim”, është shprehur Taulant Balla.