7 Prilli ’39 – si u vendos fat i Shqipërisë deri më sot

 

Nga Kastriot KOTONI

Ka ngjarje e ngjarje, të vogla apo të mëdha, heroike dhe tragjike në historinë e një shteti dhe kombi, por ngjarje që ende kanë lënë gjurmë në historinë e një shteti si Shqipëria ngelet dita e 7 Prillit 1939, dita e pushtimit nga Italia fashiste. Për çdo shqiptar që mëson historinë e Shqipërisë është dita më e zezë për vendin e shqiponjave, jo vetëm nga përmasat e pushtimit nga një ushtri e stërmadhe me 2 divizione këmbësorie, 4 regjimente bersalierësh, 3 batalione tankesh, 1 grup qerresh të shpejta të karrocuara, batalioni special “San Marko”, 2 batalione këmishëzinjsh, 1 regjiment granatierësh, 2 grupe të artilerisë të kalibrit të mesëm etj. Dhe shoqëroheshin nga dy karrocata, 7 kryqëzor dhjetra torpediera e nëndëtëse si dhe nga një flotë ajrore që nisej nga bazat e Italisë së Jugut. Trupat italiane arrinin nga 35-40000 vetë. Por siç do ta argumentojmë në vazhdim të shkrimit, poshtërimi që i bëri ushtria shqiptare e stërvitur prej 14 vjetësh për të mbrojtur atdheun, popullit shqiptar dhe ikja e mbretit “Zog” që kishte premtuar, “se do vishte opingat e do tu qepej maleve për ti bërë rezistencë armikut” janë rast i vetëm në botë. Galiaco Çiano në Ditarin e tij shkruan: “Me Stojadinoviçin do ta ndanim Shqipërinë, tani do ta pushtojmë krejt, Jugosllavinë”. Të nesërmen, më 5 shkurt, B.Musolini dhe ministri i tij i jashtëm vendosën pushtimin e Shqipërisë. Por fashistët italianë akoma nuk vendosën ti hidhnin trupat e tyre në Shqipëri. B.Musolini kishte frikë se mos sulmi kundër Shqipërisë do ta nxiste “aleaten” e saj Gjermaninë për veprime të mëtejshme ekspasioniste drejt Ballkanit, të cilin Italia e synonte ta kishte në sferën e saj të ndikimit. Frika u shtua sidomos kur u muar vesh se Gjermania kishte ndërmend të vinte dorë në vendburimet e naftës shqiptare. Pushtimi i Çekosllavisë nga Gjermania naziste më 15 mars 1939 shtroi përpara Musolinit nevojën e një kundërbalance duke forcuar pozitat në Ballkan. Vendimi përfundimtar për pushtimin e Shqipërisë u muar më 23 mars 1939, pasi qeveria gjermane e siguroi Italinë se deti Mesdhe dhe deti Adriatik konsideroheshin dete italiane dhe si pasojë Italisë i liheshin duart e lira në Shqipëri. Letra e kryeministrit anglez Çambërlen drejtuar B.Musolinit në të cilën ai i lutej këtij të fundit “të ndihmonte në rimëkëmbjen e mirëbesimit reciprok dhe në ruajtjen e paqes”. Fryma e letrës e bindi B.Musolini se sulmi kundër Shqipërisë do të kalonte pa zhurmë të madhe. Më 25 mars qeveria e Romës i paraqet një projektraktat A.Zogut me anën e të cilit kërkonte që ushtria italiane të kishte të drejtën të hynte në të katër portet hyrëse kryesore të Shqipërisë, dhe të kontrollonin rrugët strategjike të Shqipërisë, fushat e aviacionit dhe pikat strategjike kufitare. Në Shqipëri të vendoseshin kolonë italianë me po ato të drejta të shtetasve shqiptarë, duke përfshirë edhe të drejtën për tu përfshirë edhe në poste të rëndësishme shtetërore, të bëhej bashkimi doganor, sekretarët e përgjithshëm të ishin italianë. Ky projekttratktat u hodh poshtë nga A.Zogu, por ky e la çështjen për ditë të tëra në heshtje duke mos marrë asnjë masë. Vetëm 5 prril komisioni i krijuar A.Zogu nën kryesinë e kryeministrit Mehdi Frashëri, hartoi kundërpropozimet e qeverisë shqiptare, në të cilat kërkohej që të përfundohej një konventë ushtarake, ku do të përcaktoheshin rrethanat në të cilat ushtria italiane do të kishte të drejtë të vendosej në Shqipëri: të konsideroheshin shtetas shqiptar vetëm ata shtetas italianë që banonin prej 5 vjetësh në Shqipëri. Ata do të kishin të drejtën të vendoseshin vetëm në qytete, kurse në fshatra mund të vendoseshin shoqëri bujqësore në tokat e çifligaëve shqiptarë me kapitale e specialist italianë, të vendosej një tarifë doganore prej dy përqind për mallrat që do të hynin në të dy vendet. Ndërkohë që B.Musolini ishte njoftuar nga qeveria gjermane se kjo e shihte me simpati aksionin kundër Shqipërisë sepse çdo fitore e Italisë rriste fuqinë e Boshtit. Edhe kryeministri anglez Çambërlen më datan 6 prrill 1939, kishte deklaruar në Dhomën e Komuneve se Anglia nuk kishte interesa të posaçme në Shqipëri. Mëngjesi i 6 prrillit e gjeti Shqipërinë në gjendje ankthi dhe dëshpërimi të thellë. Popullsia e të gjitha qyteteve ishte në rrugë, vullnetar kishte por nuk kishin armë. Por në të vërtetë Italia qysh në vitin 1925 kishte zhvilluar një luftë të egër diplomatike, për marrjen e përparësisë ekononomike në Shqipëri. Në planet italiane për të ndëhyrë në Shqipëri, një vend kryesor zë marrja e konçesioneve ekonomike, në rradhë të parë të Bankës dhe huasë SVEA, që ishin intrumente me rëndësi të madhe për ndërhyrjen në Shqipëri. Përfaqësuesit e kapitalit Italian përdorën të gjitha format për të zotëruar pjesën më të madhe të aksioneve të Bankës dhe të shoqërisë SVEA duke përvetësuar me anë të korrupsionit dhe pjesën që iu rezervua shqiptarëve si dhe për ti eleminuar rivalët e huaj. Prerja dhe hedhja në qarkullim e monedhave thyese ishin në dëm të Shqipërisë. Është fakt se grupi financiar Italian i Bankës Kombtare të Shqipërisë arriti të sigurojë fitime të mëdha, spekulative. Vetë Amadeo Gambino, këshilltar delegatë i Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Romë, në një letër të vitit 1931 që i dërgonte Xhiulio Gaudenxit, drejtor qëndror i Bankës Kombëtare në Durrës, i shkruante me entuziazëm këtij të fundit për rendimentin e lartë të fitimeve që banka kishte realizuar nga shitblerja e valutave në Shqipëri, se këto fitime ishin 6 herë më të larta në vitin 1931 në krahasim me realizimin e fitimit nga banka e Zvicrës në vitin 1929 për të njëjtat veprime. Fondi i huasë së SVEA me porosi nga Roma përdorej kryesisht për qëllime ushtarake e poltike ,përfshi këtu edhe sponzorizimin e fshehtë të shtypit, duke hequr dorë për nga programi huasë që kishte përgatitur qeveria shqiptare. Në vitin 1938 një napoleon ari është këmbyer me 19,90 fr letër që domethënë iu mblodh i gjith ari dhe argjendi si monedhë në një kohë shumë të shkurtër, dhe rriti artificialisht vlerën e bakënotave dhe provokoi “urinë monetare”. Me anë të huasë SVEA, kapitali Italian siguroi hipotekën mbi ekonominë e Shqipërisë. Ai mori një varg konçesionet e vajgurore, konçensione të tjera në fushën e industrisë e të minierave, në bujqësi e pyje, në ndërtim e në transport, në tregëtinë e brendëshme e të jashtëme të tij. Për huanë u lanë peng 44 për qind të të ardhurave të buxhetit të shtetit shqiptar, ajo u dha me një interes prej 7.5 për qind e cila ishte e lartë dhe e papërballueshme për Shqipërinë. Kjo hua e dhënë në kushte të rënda e të disfavorshme u bë mjet presioni ndaj qeverisë A.Zogut për realizimin e synimeve ekspasioniste të Italisë në Shqipëri. Dhe borxhi i huasë për vite me rradhë e vuri në pozita të vështira regjimin e tij. Konçensionin në dobi të shoqërisë italiane AMMI (Azienta Mineraria Metaliferi Italiana) u dha me rastin e martesës së mbretit Zog në prill të vitit 1938, me anë të G.Çiano. Ky konçesion i jepte vetëm kësaj shoqërie të drejtën për kërkimin dhe shfrytëzimin e mineralit të kromit që ishte zbuluar në afërsi të Tropojës. Puçi i Ethem Totos u krye për të arritur synimet ambicioze ish- ministrit i Brendshëm dhe nën nxitjen e vëllait të tij Ismet Toto, i cili deshte të zbatonte idetë e tij me ngjyrë fashiste “të diktaturës së ndritur”, synime që miratoheshin prej Romës. Në lëvizje morën pjesë edhe element patriot që nuk i dinin qëllimet e vërteta dhe prapaskenat politike dhe donin të përmbysnin regjimin e Zogut. Qeveria e Romës nga ana e saj e shfytëzoi puçin e Ethem Totos për të trembur Ahemet Zogun dhe për ta detyruar atë të mos paraqiste pengesën më të vogël kërkesave të reja ekonomike e politike të Italisë. Qeveria e K.Kotës duke i qëndruar besnike Italisë fashiste veproi sipas udhëzimeve të saj . Me të ardhur në fuqi, ajo u solidarizua plotësisht me politikën e nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë, të cilët përkrahën pa rezerva kryengritjen fashiste që plasi në korrik të vitit 1936 në Spanjë kundër Republikës Spanjolle dhe Frontit Popullor Spanjoll. G.Çiano udhëzonte legatën italiane në Tiranë të kërkonte nga qeveria shqiptare që kjo ta njihte qeverinë fashiste të Frankos më 26 nëntor 1936. A.Zogu e njoftoi ministrin e ri në Tiranë F.Jakomonin se ai e quante “një nder të madh” për veten e tij që ishte i pari pas qeverive gjermane dhe italiane, që mbante një qëndrim të tillë miratues dhe jepte një kontribut në “të politikës së jashtëme të fashizmit”. Përpjekje e madhe u bë për italianizimin e shkollave nga Orgnizatori fashizmit Sestilio Montaneli, në vitin 1938. Projekti për mbylljen e gjashtë gjimnazeve egzistuese, dhënien e lejes së klerit katolik të hapte shkolla të mesme fetare në të gjithë vendin. Në shkollat e mesme gjuha italiane u bë e detyrueshme. Një veprimtari të ethëshme për përhapjen e kulturës fashiste zhvillonte shoqëria “Dante Aligeri”. Emigracioni shqiptar kontrollohej nga agjentura italiane dhe ndër to më e veçanta organizata “Bashkimi’ më në krye Mustafa Krujën u vunë në shërbim të saj.

Në kujtimet e Nikollë Mëlyshit në librin “NGJARJE HISTORIKE TË NDIHME TË PAME TË JETUEME” 5571 GRAND DETRYT MICH.48211 USA 1973, ngjarjet mbi agresionin fashit të 7 prillit 1939 janë më interesantet ndaj po shkëpusim disa fakte interesante. Nikollë Mëlyshi vinte nga një derë e njojtur e Kthellës së Mirditës. i ati , Gjon Mëlyshi, ka qenë bajraktari i Kthellës dhe ka udhëhequr kthellasit në luftrat kundër Shefqet Turgut Pashës, i cili ia dogji dy herë kullat Gjonit. Nikollë Mëlyshi gjatë periudhës së monarkisë ka shërbyer si ushtarak i karrierës në shumë rrethe të vendit. Më 7 prill 1939 kur sulmoi italia fashiste Shqipërinë, Nikollë Mëlyshi shkon në Durrës për të marrë pjesë në rezistencën antifashiste. Abaz Kupi e cakton në frontin e Bisht- Pallës. Në vitin 1943 ai rreshtohet në radhët e Ushtrisë partizane si kuadër (oficer-kapiten i rangut të parë) në Brigadën e Shtatë sulmuese. Ai merr pjesë aktive në të gjitha betejat që zhvilloi brigade në Mirditë, Pukë e Shkodër deri në Vishegrad në përbërje të Divizionit të Pestë, ku ishte e inkuadruar kjo brigadë në ndjekje të nazifashitëve gjermanë. Pasi kthehet në Shqipëri Brigada e Shtatë, Nikollës i bëhet thirrje për tu pranuar në parti, por ai nuk pranon. Për pikpamjet e tij shikohej me sy si i dyshimtë prandaj ai detyrohet të dalë në mal me armë në dorë kundër regjimit komunist. Në vitin 1949 ai arratiset nga Shqipëria për në Jugosllavi dhe pastaj në SHBA. Ja se çfarë shkruan ai për ngjarjet e prillit 1939. Trupat italiane , të komanduara nga gjeneral Guxoni, më 7 prill zbarkuan në portet e Sarandës , Vlorës, Durrësit Shëngjinit. Zogu me rrethin e tij bëri të gjitha përpjekjet për të arritur marrëveshje me pushtuesit. Edhe në mëngjesin e 7 prillit ai dërgoi te gjeneral Guxoni në Durrës një delegacion të kryesuar nga ministri Rok Gera për t’i kërkuar edhe njëherë legalizimin e pushtimit me anë të konventës ushtarake. Por, pasi dështoi edhe kjo manovër Zogu me njerëzit e tij u nis për në Greqi. Forcat italiane zbarkuan atë mëngjes dhe, pasdreke, marshuan për në Tiranë pa hasur asnjë lloj pengese e rezistence. Forcat shqiptare u gjendën të shpartalluara kudo që ishin. Mbreti së bashku me familjen e rrethin e tij e shoqëroi deri në Qafë Krabë grupi i gardës me këmbësori e artileri. Që aty autoveturat shpejtuan vrapin duke lënë prapa grupin e gardës, që udhëtonte me këmbë. Më pas ky grup u shpërnda përfundimisht duke mbetur pa komandë. Komandanti i grupit, Hysen Selmani, kolonel, iku së bashku me mbretin dhe vendin e tij e zuri një oficer pa eksperiencë. Oficerët e nënoficerët e gardës, që kishin nga një pushkë në krah u shpërndanë në drejtime të ndryshme pa komandë. Mushkat e mëdhaja të sjella nga Italia për të mbajtur pajisjet e artilerisë, kur mbetën pa shërbyes ikën të tërbuara duke tërhequr rripat me armët e rënda. Ishte një tragjedi e rëndë që nuk ndodh kurrë në asnjë shtet të botës së qytetëruar. Kolonel Hysen Selmani kur mbëriti në Qafë të Krabës dhe pa se ministrat ia grahën ra në gabime ushtarake dhe nuk diti dhe as u interesua për vartësit e tij. Kështu batolioni mbeti në kushte shumë të rënda, pa komandë duke i vënë një njollë turpi Shqipërisë. Zbarkimi i ushtrisë italiane në 7 prill 1939 i solli Shqipërisë një varg të këqijash dhe popullit shqiptar. Pushtimi e bëri më vonë Shqipërinë shesh lufte midis ushtrisë italiane dhe asaj greke. Ushtrisë shqiptare iu vu një njollë e zezë e cila u gjet e papërgatitur për të luftuar për mbrojtjen e vendit. Kjo duhej bërë, së paku duhej luftuar qoftë edhe me çeta sepse ishte krijuar edhe stërvitur një ushtri për 14 vjet për një rast të tillë, të mbrojtjes kombëtare. Në Marsin e vitit 1939 Kapidani i Mirditës, Gjon Markagjoni në një takim që pati me mbretin Zog i tha.”Madhni, Italia po hyn në Shqipëri. Merr masa dhe bjeri mbrapa punëve se morët veten në qafë dhe Shqipërinë”. “Zogu iu përgjigj” i kam pasur punët keq me Italinë dhe qeverinë tonë, por shpresoj se do t’i rregulloj. Më datën 4 prill ngarkohet nga Mbreti si komandant i rrethit të Matit majori Sul Kurti. Ai, me të marrë komandën bisedon në telefon me Gjon Markagjonin dhe i thotë-Shqipëria është në rrezik sa armë të duhen për Mirditasit?… Kapedani i Mirditës iu përgjegj. Mbrenda 24 orëvsh kam grumbulluar tek kroi i Shën Lleshit në katundin Bulger 3000 burra. Dhe vërtet ashtu ndodhi u mblodhën 4000 burra prej bajrakëve Kthellë e Mirditë, të cilët pritën tri ditë rresht armët që do vinin nga Tirana. Po mjerisht armët nga Tirana nuk erdhën. Në atë kohë unë isha i inkuadruar në një repart ushtarak në Peqin. Në orën 4 të mëngjesit të 5 prillit marr urdhër prej grupi të dytë me u paraqit në Elbasan. U paraqita menjëherë aty dhe gjeta të gjithë oficerët të grumbulluar në shtëpinë e ushtarakëve. Në orën 10 të mbrëmjes dëgjuam fjalimn e Musolinit që thoshte se trupat italiane kanë marrë urdhër për të zbarkuar në Shqipëri. Bashkë me 30 xhandarë u nisëm me kamion për në Durrës më datën 6 prill ora 4 mbas dreke. Në Durrë mbërritëm tek fusha e sportit. Unë mendoja se do t’i gjeja forcat ushtarake efektive të Mbrojtjes Kombëtare, ndërsa aty ishte një rrëmujë e vërtetë, mbledhur bashkë në formë rebelimi, ushtarak e civil jo më shumë se dyqind vetë, nën komandën e Abaz Kupit, I cili kishte edhe dy ndihmës me grada toger, Ndue Pal Dedën, Gjon Dostanishten, me të cilët i ishte besuar fronti i mbrojtjes kombëtare të Durrësit. Major Abaz Kupi dha urdhër dhe organizoi pozicionet e mbrojtjes. Mua së bashku me një grup prej 30 civilësh më caktoi tek Bishti i Pallës. Unë u nisa menjëherë atje pa pritur vartësit e mi. Kur Abaz Kupi po jepte udhëzime mbi kokat tona fluturuan avionët italianë, si duket për të bërë presion psikologjik mbi ne. Menjëherë forcat shpërndahen nëpër hendeqe e kanale për t’u mbrojtur nga bombardimet e skuadriljes së avionëve italianë. Kur pashë me sytë e mi që nuk ekzistonte më ushtri e rregullt atë ditë të zezë prilli, të Shqipërisë nuk kishte front të mbrojtjes në Durrës, me të vërtetë u trondita. U habita më tepër kur pashë se disa oficerë të Shtatmadhorisë, me grada të larta e kulturë, majorë e nënkolonelë në shërbim të përhershëm të cilët kishin hyrë nën komandën e major Abaz Kupit, oficer armës së xhandarmarisë në moment kritik të kombit shqiptar, kuptova përfundimisht se Ushtria shqiptare nuk ekzistonte më. U ngjetha dhe mu bë trupi akull. Ai rast më shtiu në mendime, se mos gjeja rrugëdalje. Si ushtarak e njihja artin ushtarak dhe kuadrin e ushtrisë shqiptare të stërvitur dhe të përgatitur për të luftuar për mbrojtjen Kombëtare, zyrat e rekrutimit në Shqipëri në atë kohë kanë qenë organizuar sipas sistemit Italian dhe me rregull të plotë aq sa për 48 orë të grumbulloheshin në Tiranë 85 mijë ushtarë të stërvitur e të gatshëm për mbrojtjen kombëtare. Po, le ta lemë pa përmendur mobilizimin e përgjithshëm dhe të numërojmë vetëm forcat nën armë. Grupi i Gardës Mbretërore Tiranë ka pas mobilizuar 7000 ushtarë prej zonave më besnike të mbretit, Mat, Dibër, Lurë, e Kthellë. Këta ishin të mobilizuar dy muaj para 7 prillit. Po kështu, në Tiranë ishin forcat e garnizonit ushtarak, efektivat e grupit të katërt të batalionit të gardës e të armëve të tjera si roja e kufirit e xhandarmëria, që bëheshin gjithsej 2000 vetë. Do të desha të shtroja disa mendime për eprorët e mi ushtarakë me grada të larta; kush mendon ndryshe, le të na thotë shkruan Nikollë Mëlyshi. A do të mundej ushtria shqiptare me 8000 vetë të zbrapte ushtrinë italiane? Sigurisht që jo. Por, a do ta dëmtonte atë? Sigurisht që po. Dhe kjo në atë mënyrë që ta bënte Italinë të mendonte se kush janë shqiptarët. Në këtë rast ushtria e popullit shqiptar do të nderohej jo vetëm prej ushtrisë italiane, por prej gjithë botës mbarë. A bënë mirë ushtarët shqiptarë që u shpërndanë pa shkrepur asnjë pushkë? Për të bërë llogari dhe plan lufte tani në tavolinë është shumë e lehtë, por ti bëje këto në vendin tonë në ato çaste, ishte shumë e vështirë. Sikur 8000 burra të stërvitur dhe të armatosur mirë për luftë të gjatë, të viheshin nën një komandë dhe disiplinë të rreptë ushtarake sipas rregullave do të kishin qëndruar dhe do të kishin dalë faqebardhë. Duke pasur parasysh 8000 ushtarë vendosur në tre vija fronti mbrojtjeje, e para, vija e zjarrit në breg të detit të Durrësit nën komandën e një oficeri madhor të armatës së këmbësorisë, e dyta, vija e qëndresës në kodrat e Rrashbullit që do të ishte edhe vija e qëndresës kryesore bashkë me atë tek Shkëmbi I Kavajës- nën komandën e një gjenerali ose një kloneli të pajisur me artileri të rëndë dhe teknikë të këmbësorisë, e treta, vija e frontit rezervë, mbështetëse në kodrat e Shijakut dhe të Ishmit e përforcuar me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion ushtria shqiptare. Por, për fatin e keq të historisë dhe të zezë për kombin tonë, duhet të pohojmë me dëshpërim të vërtetën e hidhur të 7 prillit. Ushtria jonë e rregullt iu shmang luftimit frontal dhe qëndresës. Ajo ia la këtë detyrë të shenjtë një grushti vullnetarësh civil dhe disa ushtarakëve. Duke i dalë zot vatanit dhe gjatë luftimeve mbrojtëse në Durrës, një gjysmë ore pasi kishin filluar ato, mbeti i vrarë dëshmori shqiptar Mujo Ulqinaku. A nuk është ky një mjerim i madh? Komandanti i mbrojtjes së Durrësit Abaz Kupi me dy ndihmësat e tij kaluan urën e Dajlanit me makinë përpara se të zbarkonin italianët për të bllokuar urën. Rreth kësaj ngjarjeje historike siç thamë më sipër, ekzistojnë shumë mendime. Në gjykimin e saj, mund të shfrytëzohen më së tepërmi ambiciet dhe konjuktura politike, sidomos për mërgatën shqiptare thekson Nikollë Mëlyshi. Dikush thotë se Mbreti Zog e ka pas humbur besimin tek oficerët e ushtrisë së vetë, dikush se gjoja këta oficerë më parë ishin të shitur tek Italia dhe prandaj lufta iu besua xhandarmarisë e cila u sabotua nga oficerët e ushtrisë. Unë mendojë se vetë mbreti qysh në vitin1932 ia hoqi besimin ushtrisë kur oficerët e ushtrisë u caktuan nëpër reparte kuadro paraushtarake në të gjitha nënprefekturat dhe komunat(që atëhere kishin lidhje të përbashkëta me administratën shoqërore civile dhe xhandarmërinë policore) xhandarmëria filloi të spiunonte oficerët e ushtrisë nëpërmjet Abdurahim Krosit dhe Musa Jukës. Por duhet të pranojmë se oficerët dolën besnikë të mbretit siç qe rasti në kryengritjen e Fierit. Por asnjë justifikim nuk mund të pranojmë se në fund të fundit ne duhet të luftonim për të mos iu dhënë rast të huajve të thonë se shqiptarët u dorëzuan tek Italia pa luftë, duhet të luftonim qoftë edhe për prestigj. Më 6 prill 1939, kur Zogu kishte mbledhur në pallatin e vet të gjithë ministrat dhe këshillin parlamentar për të dekretuar daljen e tij legale nga Shqipëria, përpara pallatit ishin mbledhur shumë student dhe të rinj paraushtarakë që protestonin dhe kërkonin armë për të luftuar. Zogu doli në ballkonin e pallatit u tha ”Shpërndahuni!”.
Në një kohë kur ngrihen monumente në emër të rishikimit të historisë e gjoja të rivlerësimit e figurave të historisë së kombit shqiptar. Politikanët dhe sahalëpirësit e tyre që gjoja kanë doktoratura e tituj shkencor, harrojnë se ciklet e historisë kanë zhdukur qytete e qytetërime, e jo më këto përmendore a monumente, e të paktën të pyetet populli me referendum apo anketime të besueshme, e po të dojë me pyetësorin e këshillimit me qytetarin, e që trumbetoni se po vilni mendimin e popullit.