Ish-ministër i Jashtëm, Paskal Milo thotë se, të dy palët janë të interesuara për zgjidhjen e c çështjes së kufirit detar pasi Greqisë ka dhe një konflikt të hapur me Turqinë. Historiani theksoi se, Shqipëria ka dhe përvojën e incidentit të Kanalit të Korfuzit me Britaninë e Madhe, e cila gjithashtu është zgjidhur nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

“Shqipëria e ka një përvojë në këtë drejtim. Gjykata Ndërkombëtare ka gjykuar në 1947-49 incidentin e kanalit të Korfuzit. Në korrik 1947 të dy palët (Britani-Shqipëri) ranë dakord që Hagës t’i drejtojnë dy pyetje. Një pyetje ia drejtoi pala britanike dhe një tjetër pala shqiptare.

Edhe tani të ndodhë e njëjta gjë. Të dy palët do të shkojnë me një marrëveshje kompromisi se çfarë pyetjesh dhe çështje do të ngrenë para gjykatës. Pas kësaj hapet procedura në gjykatë. Gjykata Ndërkombëtare ka një ekspertizë shumë të madhe sepse janë gjykatësit më me integritet dhe me shumë përvojë dhe kanë ekipe ndihmëse. Në një gjykim të një trupe ndërkombëtare të mirënjohur ke shanse që të ketë një gjykim objektiv dhe profesionist”, deklaroi Milo.

Për ish-ministrin e Jashtëm, Shqipëria duhet të krijojë sa më shpejt një ekip ekspertësh si dhe të kërkojë konsulentë ndërkombëtarë nga kompani që kanë përvojë në të drejtën ndërkombëtare detare si dhe Shqipëria duhet të kërkojë të marrë atë që i takon me ligjin ndërkombëtar të detit.

Milo tha se në këtë çështje varen interesa ekonomike të mëdha. Sipas tij çështja e kufirit territorial ka qenë një çështje e zgjidhur mes dy vendeve që në vitin 1946 dhe është pranuar të hapet me kërkesë të palës greke në marrëveshjen e vitit 2009.

“Mesi i artë nuk gjendet kollaj por unë mendoj se duhet pasur koncept të qarta se çfarë kërkojmë. Ka një ngatërresë mes ujërave të brendshme, zona ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental. Këtu më tepër kërkohet përcaktimi i zonës ekonomike dhe sheflit kontinental pasi kufirin detar e kemi pasur të përcaktuar.

Duhet të kërkojmë në bazë të konceptit të Montego Bay atë çfarë na takon. Atje ku ka mundësi ne të kërkojmë zbatimin e 12 miljeve të detit territorial ë kërkojmë pastaj zonën ekonomike ekskluzive të kërkojnë zonën e ndërmjetme mes detit territorial dhe mes zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental”, shtoi Milo.

Çështjen çame, ish-ministri i Jashtëm e konsideroi si një temë të ngrirë dhe tha se ajo mund të rihapet në kuadër të drejtave të njeriut vetëm pasi Shqipëria të jetë anëtare e BE-së. Ish-ministri i Jashtëm tha se klima e konferencës për shtyp la të kuptohej se negociatat kanë shkuar mirë, ndërsa deklaratën në fund të kryeministrit, Rama që foli në greqisht, shqip dhe turqisht e interpretojë si një moment të sikletshëm për kreun e qeverisë shqiptare.

“Është një çështje e ngrirë çështja çame për fat të keq. Nuk ka gjetur përgjigje dhe për rrjedhojë e quaj një problem të ngrirë… Rama është ndjerë paksa në siklet e lexona në fytyrë shqetësimin që u krijua. Nuk ka dashur që të ndërhynte dhe të mbronte njërën palë, por e përmbylli me atë fjalën “ejvallah”. Nuk mendoj se do të ketë një ligj të posaçëm për heqjen e ligjit të luftës në parlamentin grek”, përfundoi Milo.