Ditmir Bushati thotë se pas tetë vjet qeverisjeje të së majtës në Shqipëri, shihen se ka ndikime dhe “penetrime” të të ashtuquajturës oligarki në qeverisje, raporton newsbomb.al.

Deklarata e ish-ministrit të jashtëm të PS në kabinetin “Rama” u bë në një format tjetër me pyetje online për deputetin socialist. Ky i fundit, duket se është zhveshur nga angazhimet vendimmarrëse, qoftë në zonën e Shkodrës ku ka qenë i deleguar, apo edhe nga funksionet e qeverisjes.

Kjo e ka bërë Bushatin të jetë më i drejtpërdrejtë kur pyetet se ku po shkon e majta shqiptare dhe cfarë identiteti po përkrah ajo. Bushati thotë se për këto cështje, që po flet publikisht, ka folur edhe në strukturat drejtuese të PS, në grupin parlamentar e forume.

E në kohën kur PS kërkon një mandat të tretë qeverisës, Bushati thotë se e majta duhet të ketë një qasje tjetër me realitetin. Komentet e Bushatit u bënë pas një inserti të vendosur të Fatos Lubonjës, një analist e shkrimtar, tejet kritik me qeverisjen e sotme të së majtës.

Komenti i plotë i Ditmir Bushatit:

Fatos Lubonja është një mendimtar që e respektoj, e lexoj dhe e cmoj. Bie dakord me të sa I përket mungesës së traditës historike në Shqipëri. Në rast se do ti referohemi antifashizmit si pjesë e vlerave apo LIIB, kjo është një pikë ku ne si PS dhe përgjithësisht e majta shqiptare e gjen veten. Por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë kur flas për mungesën e traditës që gjatë periudhës së LIIB në rast se do ti referohemi Ballit Kombëtar të asaj kohe, ku Balli kishte një raport e qasje të ndryshme me Partinë Komuniste të kohës përsa i përket luftës dhe fashistëve por nga ana tjetër dekalogu I Ballit Kombëtar është një dekalog i një partie socialdemokrate. Më pas kemi futjen brutale të komunizmit në Shqipëri dhe pas vitit 90 dua të kujtoj një shprehje të Dritëro Agollit që thoshte se të gjitha partitë politike në Shqipëri dolën nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës. Pse kjo? Dhe pot ë shohim edhe lëvizjen politike të studentëve të dhjetorit dhe partitë politike u kryesuan nga njerëz përgjithësisht të cilët ose kishin milituar në Partinë e Punës ose kishin qenë në radhën e dytë apo të tretë të regjimit. Ishte e pamundur për kohën që vinte nga një sistem totalitar që disidenca që në poloni psh që konsiderohej se bënte një jetë underground, apo një jetë paralele ishte e pamundur në rastin e Shqipërisë. Duhet ta pranojmë një fakt historik.

Për të ardhur te koha e sotme, pse jam unë pjesë e PS dhe pse besoj te politika e vlerat e qendrës së majtë. PS mund të identifikohet me riorganizimin dhe rindërtimin e shtetit pas vitit 97 me kushtetutën e parë demokratike me kushtetutën e parë që hedh bazat e shtetit demokratik shqiptar, me ndihmesën e luftës në Kosovë dhe me devizën e famshme që kishte në atë kohë të sakrifikojmë pushtet për shtet. Kjo është arsyeja pse jam ndier mirë në PS duke u përpjekur me kontributin tim modest. Natyrisht që PS duhet ta forcoj qasjen me identitetin kombëtar dhe e majta kombëtare. PS ka pasur dhe duhet ta forcojë raportin me interesin publik. Kemi ndikime dhe penetrime të të ashtuquajturës oligarki. Ndikim dhe penetrim të korrupsionit apo krimit të organizuar në jetën publike. Personalisht kam pasur kurajon për ti trajtuar këto tema qoftë brenda forumeve të forcës politike ku jam por edhe në kuvedin e Shqipërisë sepse nuk ka një shoqëri qoftë në SHBA e Gjermani e kështu me radhë që mos të ndeshet me këto fenomene. Por dallimi mes forcave progresiste që kanë një jetë të vrullshme ku elementët dhe procesi i bashkëjetesës demokratike është i respektuar, dallimi vjen për faktin që këto tema njihen si të tilla,pranohen si të tilla  dhe perpiqemi për ti adresuar dhe ballafaquar.

Është shumë e rëndësishme gjithashtu gjatë viteve që ne po hyjmë në dekadën e katërt të tranzicionit që nga rënia e sistemit komunist, ne të kemi një qasje shumë më të qartë rreth pozicionimit të së majtës së re në Shqipëri. Mund t’ju them një element të rëndësishëm: situata e krizës financiare që kaloi bota dhe kryesisht Evropa, situata me pandeminë. Të gjitha kanë një impakt të drejtpërdrejtë për shkak të rolit edhe eksesiv të tregut në shoqëritë tona. E pra, perëndimi duhet të lëvizte në një drejtim tjetër dhe njerëzit duhet të lëviznin ekonomikisht majtas dhe e majta duhet të fitonte në terren. Por po shohim që njerëzit po lëvizin kulturalisht djathtas, duke pasur një qasje tjetër ndaj emigracionit, duke pasur një qasje tjetër ndaj të huajve, duke pasur një qasje tjetër ndaj të ashtuquajturit solidaritet social. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që e majta në Evropë por edhe e majta në Shqipëri të ketë një raport tjetër me realitetin.