Edhe ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim ka përshëndetura vendimin e qeverisë shqiptare për të strehuar refugjatët afganë Të rrezikuar nga talebanët.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, diplomatja përmend “Besën” si vlerën më të rëndësishme për shqiptarët.

“BESA – atëherë kur ka më shumë rëndësi, populli shqiptar tregon gjithnjë nder, guxim dhe mirësi. Ne jemi krenarë që ju kemi miqtë dhe aleatët tanë”, shkruan Kim.

REAGIMI I KOMITETIT TE JASHTEM

Më herët, edhe Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan ka përshëndetur vendimin.

Me anë të një postimi në Twitter, kryetari i këtij Komiteti, Bob Menendez thotë se populli i Shqipërisë i tregon edhe një herë botës se çfarë do të thotë “BESA”.

“Unë mirëpres vendimin e qeverisë shqiptare për t’u dhënë një strehë të përkohshme të sigurt atyre që ikin nga sulmet e talebanëve në Afganistan. Populli i Shqipërisë i tregon edhe një herë botës se çfarë do të thotë “BESA”. Ju keni respektin dhe falenderimet tona”, thuhet në reagim.

REAGIMI I MADELEINE ALBRIGHT

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, u ka shprehur mirënjohje Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë pranuar t’i strehojnë refugjatet.

“Ne duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohëse ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit te aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët ta ndjekin”, shkruan ish-sekretarja e Shtetit.