Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, në konferencën e përbashkët për mediat me Kryeministrin Edi Rama, është shprehur se Italia do të mbështesë gjithmonë Shqipërinë.

Duke përmendur disa nga bashkëpunimet që ka mes dy vendeve, në fushën e tregtisë dhe turizmit, Draghi tha se ka shumë sipërmarrje italiane në Shqipëri dhe shumë shqiptare në Itali.

Më tej ai u shpreh se Italia do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe kjo mbështetje do të jetë gjithmonë.

“Nuk ka nevojë për fjalë, por vetëm për përforcime. Bashkësia italiane, bashkësia shqiptare në Itali është një bashkësi shumë e gjerë, më duket shumë mirë e integruar. Studentët shqiptarë janë të shumtë dhe frekuentojnë me përfitim shumë të madh universitetet tona, sipërmarrjet italiane nga Shqipëria janë me të vërtetë shumë, janë me mijëra, si ato me pronësi italiane dhe ato me pronësi të përbashkët që do të thotë që edhe në këtë sektor kategoritë e sipërmarrësve janë pranë. Në bashkëpunimin me Shqipërinë, ushtrohet dhe në rrafshin e bujqësisë, turizmit, të shërbimeve, tashmë edhe të tranzicionit ekologjik. Italia gjendet dhe është pranë Shqipërisë do të thoja në çdo gjë, në çdo centimetër le të themi të politikës së saj të jashtme përsa i përket afrimit, hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian, Italia e ndjek nga afër dhe duke e ndjekur dhe përshtatjen e standardeve europiane me ato të Bashkimit Europian, do të vazhdojë ta bëjë dhe e ka bërë.

Kohët e fundit është shumë e rëndësishme si për Italinë, ashtu edhe për Shqipërinë për stabilitetin në Ballkan sepse procesi i hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk do të ndodhte vetëm, por duke konsideruar edhe hyrjen e vendeve të tjera të Ballkanit. Edhe bashkëpunimi përsa i përket gjyqësorit, sigurisë ecën shumë mirë dhe sot folëm për këtë. Ka nisma të ndryshme mbi të cilat të dy vendet do të punojnë dhe në këto ditë, sot në mënyrë të veçantë, pasdite kryeministri Rama do të nënshkruajë në Ministrinë e Jashtme një pjesëmarrje në Komitetin Ekonomik të përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë. Pra, unë me pak fjalë mund të them se Italia do t’i japë një mbështetje të bindur dhe të plotë Shqipërisë”, tha ndër të tjera ai.