Dy djemtë e Trump akuzojnë republikanët për mbështetje të dobët ndaj babait të tyre

Dy djemtë e Donald Trump kanë qortuar republikanët duke i akuzuar se kanë dështuar për të mbështetur Presidentin, ndërsa ai po lufton për të fituar mandatin e dytë.

Djali i madh i Trump, Don Jr, akuzoi Partinë Republikane si “të dobët”. Ndërsa, vëllai i tij Eric paralajmëroi me fjalët se: “Votuesit tanë nuk do t’ju harrojnë kurrë nëse do të vazhdoni të jeni dele”!

Këto paralajmërime vijnë pasi dy nga pjesëtarët më të moshuar të Partisë Republikane, Senatori i Utah Mitt Romney dhe Guvernatori i Maryland Larry Hogan kanë paralajmëruar një fushatë kundër Trump, nëse ai vazhdon të ndërhyjë në procesin demokratik.

Don Jr ka shkruar në Twitter për të shpjeguar zemërimin e tij, për ata që nuk po veprojnë në mbështetje të Trump duke thënë që mungesa totale e veprimit po vjen nga ata që shpresojnë për një kandidim në zgjedhjet e vitit 2024.

“Ata kanë një platformë perfekte për të treguar se janë të gatshëm dhe të aftë për të luftuar, por në vend se ta bëjnë këtë, ata po i nënshtrohen turmës mediatike. Mos u shqetësoni, @realDonaldTrump do të luftojë dhe ata vetëm mund të shikojnë si zakonisht!”, është shprehur djali i madh i Donald Trump.

Ndërkohë që Trump-i më i ri u tha mbështetësve në Atlanta, Georgia, një nga shtetet kryesore, ku akoma po vazhdon numërimi i votave, se babai i tij kishte të drejtë të ngrinte sfida ligjore për procesin e numërimit të votave.

“Unë mendoj se gjëja numër një që Donald Trump mund të bëjë në këto zgjedhje është të luftojë secilën nga këto beteja deri në vdekje”, tha ai.