Në orët e mëngjesit të së premtes, kandidati demokrat Joe Biden doli në epërsi në Xhorxhian me 16 vota elektorale. Gara është shumë e ngushtë dhe Biden udhëheqë me 917 vota në këtë shtet ku janë numëruar 99 për qind e votave.

Fitorja në Xhorxhia do të ishte një ndryshim radikal. Që nga viti 1964 ky shtet ka votuar për kandidatët demokratë vetëm katër herë, për herë të fundit për Bill Clinton në 1992. Nëse votimi përfundon në favor të Biden këtë vit, Xhorxhia do të jetë një ishull blu në një det të kuq në hartën elektorale, e rrethuar me shtete republikane.

Numërimi i votave po vazhdon edhe në tri shtete të tjera që mund të jenë vendimtare: në Arizona dhe Nevada, ku Biden është në përparësi dhe në Pensilvani, ku epërsia e presidentit Trump ka rënë në 18 mijë vota.

Presidenti Tump, akuza për parregullsi dhe manipulim votash

Presidenti amerikan Donald Trump në një deklaratë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të enjten në mbrëma tha se bazuar në votat e ligjshme ai i ka fituar me lehtësi zgjedhjet. Por, ai shtoi se manipulimet, fletëvotimet e dorëzuara me vonesë, fletëvotimet e paligjshme bënë që avantazhi e tij ne disa shtete të venitej.

Ai tha se përkundër parave të kompanive të mëdha teknologjike, parashikimeve të mediave dhe sondazheve për fitore të thella të demokratëve, republikanët arritën me sukses që të ruanin shumicën në senat, dhe dolën mirë në garat zgjedhore për vendet në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ne ishim në avantazh në Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani në natën e zgjedhjeve dhe papritmas avantazhi filloi të venitej. Numërimi i votave në Detroit dhe Filadelfia po kontrollohet nga makineria e korruptuar demokrate”, tha Presidenti Trump.

i Trump tha se do të ketë shumë padi gjyqësore për parregullsitë që, sipas tij, kanë ndodhur në disa shtete dhe se ato mund të përfundojnë në gjykatën më lartë të vendit. “Ne duam zgjedhje të ndershme, numërim të ndershëm. Do të ketë shumë padi gjyqësore për shkak të parregullsive dhe për shkak se ne nuk mund të kemi zgjedhje të vjedhura. Ndoshta kjo do të shqyrtohet nga gjykata më e lartë e vendit”, tha ai.