Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi të martën se mbledhja plenare e radhës do të zhvillohej online, përmes platformës Zoom. Por në njoftim përcaktohet se janë të ftuar vetëm përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë si dhe programet EURALIUS dhe OPDAT.

Prej shkurtit të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vijon t’i zhvillojë mbledhjet plenare me dyer të mbyllura për mediat dhe publikun, në kundërshtim me nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Pyetjes së BIRN se si do të mundësohej për gazetarët ndjekja e mbledhjes plenare, këshilltarja për mediet, Carmen Gjani u përgjigj se KLP vendosi që mbledhja të zhvillohej sipas mënyrës së përcaktuar prej vitit 2019. Gjani shtoi se njoftimi zyrtar do të publikohej menjëherë pas mbledhjes dhe regjistrimi audio do të gjendet në faqen zyrtare të Këshillit brenda 24 orësh.

Në njoftimin e publikuar pas mbledhjes plenare të mërkurën, KLP informoi vendimin për pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për dhënien e masës disiplinore “vërejtje publike” ndaj prokurores së Korçës, Odeta Todurushi. KLP nuk informoi arsyen e masës disiplinore dhe as qëndrimin e prokurores në seancë.

Vendimi i 22 shkurtit 2019 i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për mbylljen e dyerve për mediat dhe publikun u justifikua nga kryetari Gent Ibrahimi me ruajtjen e privatësisë së të dhënave të subjekteve.

Por kjo praktikë bie ndesh me të drejtën për informim, ndërsa Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 23 të saj i jep të drejtë kujtdo që të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive. Transparenca konsiderohet gjithashtu parësore në praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat rekomandojnë seanca të hapura për procedimet disiplinore të zyrtarëve të drejtësisë, me përjashtim të rasteve kur këto subjekte kërkojnë të kundërtën.

Gazetarja e News 24, Klodiana Lala e cilësoi të papranueshme mbylljen e dyerve për mediet dhe publikun nga institucionet e krijuara në kuadër të reformës së drejtësisë, ku një prej shtyllave kryesore është përcaktuar transparenca.

“Institucionet e drejtësisë janë duke përdorur pandeminë për të mbajtur larg gazetarët, duke dëmtuar rëndë interesin e qytetarëve për t’u informuar. Me këto qëndrime, institucionet e reja të drejtësisë po cënojnë rëndë transparencën,” tha Lala për BIRN.

“Kur mbledhjet plenare kryhen me dyer të mbyllura, gatuhen ‘gjellë të prishura’,” shtoi Lala.

Të krijuara në fillim të dhjetorit 2018, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor funksionojnë sipas të njëjtit ligj, por kanë ndjekur deri më tani praktika të ndryshme.

KLP zhvilloi fillimisht mbledhje të hapura për median, ndërsa prej shkurtit 2019 vijon me publikimin e pjesshëm të regjistrimeve audio deri në 24 orë pas mbledhjes plenare.

Në nisje të aktivitetit të tij, Këshilli i Lartë Gjyqësor i zhvilloi mbledhjet me dyer të mbyllura dhe publikoi në faqen e vet online vetëm procesverbalet e diskutimeve. Aktualisht, nisur dhe nga masat e marra në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19, KLGJ zhvillon mbledhjet online duke u dhënë mundësinë përfaqësuesve të mediave t’i ndjekin mbledhjet plenare. Por një pjesë e mirë e diskutimeve, edhe për çështje që kanë si objekt shqyrtimi zyrtarët publikë, janë zhvilluar me dyer të mbyllura.