Komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit verifikoi të mërkurën përgjigjet e mbërritura nga institucionet shtetërore në bazë të kërkesave të dërguara nga ky komision, duke konstatuar mungesën e përgjigjeve nga një numër i madh i tyre.

Edhe pse u ishte lënë një shtesë 5 ditore mbi afatin ligjor, disa ministri, një numër i madh bashkish, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, Shërbimi Informativ Shtetëror si dhe disa inspektoriate rezultuan se nuk i kishin dërguar të dhënat e kërkuara.

Kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj paralajmëroi padi penale për çdo institucion që nuk dorëzon përgjigjet brenda orarit zyrtar të punës së Kuvendit të datës 17 nëntor.

“Do të konsiderohet që ky detyrim ligjor ndaj Kuvendit të Republikës nuk është përmbushur dhe duke qenë i tillë, do të reagojmë për të paraqitur kallzim penal për shpërdorim detyre ndaj këtyre institucioneve që nuk i janë përgjigjur këtij detyrimi ligjor,“ tha Alibeaj.

Alibeaj bëri me dije se u kishte nisur një letër paralajmëruese të gjithë institucioneve, ku u kërkonte përshpjetimin e procedurës së kthimit të përgjigjeve ndaj kërkesave të komisionit. Nënkryetari socialist, Toni Gogu e cilësoi letrën e Alibeajt si shkelje të ligjit dhe presion ndaj institucioneve shtetërore.

Ndërkohë, një përgjigje e ardhur nga Drejtoria e Policisë së Shtetit futi në dilemë komisionin pasi përgjigjia ishte konsideruar si “informacion të klasifikuar”.

“E klasifikuar do të thotë që nuk mund të njihet nga publiku, por nuk mund të shihet as nga anëtarët e komisionit,”tha Alibeaj, duke shtuar se kjo prek drejtpërdrejt “aftësinë dhe të drejtën për të hetuar”.

Pyetjet që i ishin drejtuar Policisë së Shtetit kërkonin informacion për numrin e shtetasve të ndaluar, të arrestuar dhe të referuar në organin e akuzës për krime zgjedhore dhe numrin e shtetasve shqiptarë që kanë hyrë nga kufiri me Greqinë e Maqedoninë e Veriut në javët para zgjedhjeve.

“Këto dy të dhëna besoj janë të tilla që nuk synojnë të dhëna sekrete, sensitive, janë thjesht statistika,” sqaroi Alibeaj për BIRN, ndërsa shtoi se do t’i kërkojë Policisë së Shtetit që të deklasifikojë përgjigjen. Në të kundërt, deputetët duhet të pajisen me certifikatë sigurie për t’u njohur me përgjigjet.

Komisioni u përfshi në debate të të gjata politike lidhur me përgjigjen e ardhur nga Partia Demokratike, të cilën përfaqësuesit socialistë e cilësuan një përgjigje bosh me synim “anashkalimin e komisionit”.

Socialistët i kishin kërkuar PD-së të dhëna mbi mënyrën e funksionimit dhe përbërjen e strukturave partiake të mbrojtjes së votës, por në përgjigjen e saj, PD e cilësonte kërkesën jashtë objektit të hetimit të komisionit dhe të dhënat e kërkuara si “të dhëna organizative të brendshme të partisë”.

“Kjo kërkesë shkel të drejtën e organizimit të lirë të një partie politike,”tha Gazmend Bardhi, anëtar i komisionit, në të njëjtën kohë sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Më pas debati percepitoi me akuza politike për përfshirjen e elementëve kriminalë në fushatë elektorale.