Ekzistojnë ca referime gjeografike në veprën e Heminguejit, të cilat janë pazgjidhshmërisht të lidhura me të. Italia e përleshjes së parë të përbotshme, Spanja në kohën e Luftës Civile, Franca ndërmjet dy luftrave botërore dhe pas së dytës, ujërat e brigjeve të Kubës etj, etj. Kontinenti i Zi zë një vend të rëndësishëm në gjeografinë letrare të shkrimtarit. Veçanërisht vargmalet Kilimanxharo, në Tanzani, të njohura edhe si “Kilima Njaro”, sipas dialektit “suahili”, që përkthehet “mali i ndritshëm”. Janë të njohura edhe për majën, “kapelen” e tyre katrore, që për 11000 vjet është e mbuluar nga dëbora e përhershme, kthyer në akullnajë të ndritshme, prej së cilës kanë marrë edhe emërtimin vendas. Pra, vargmalet Kilimanxharo janë aty dhejtëra mijra vjet, por nuk do të ishin kaq të njohura për botën mbarë, nëqoftëse nuk do të bëheshin sheshngjarja e një libri të mrekullueshëm të Ernest Heminguejit, “Dëborat e Kilimanxharos”, i cili pa dritën e botimit më 1933.
Natyra, veçse, nuk shkon gjithmonë me tekat e njerëzve. Dhjetëvjeçarëve të fundit, kur kurioziteti i miliona njerëzve është shtuar për këtë vend të botës dhe pelegrinazhet turistike janë në rend të ditës atje, ndodhi diçka dëshpëruese. Akullnajat filluan të shkrijnë dhe ky mal i famshëm po bëhet gjithnjë e më pak “i ndritshëm”. Në fund të shekullit të kaluar, kohë e afërt me sot, totali i ngrirë i Kilimanxharos është pakësuar në masën dëshpëruese 80%. Më 2006-ën u shpallën rezultatet e një studimi akademik 4 vjeçar të Universitetit të Ohajos për këtë katastrofë ekonomikre, por edhe kulturore natyrisht, në sajë të veprës së Heminguejit, që i bëri këto vargmale të ngrira vend të ëndërruar për milionat e njerëzve dashamirës të veprës së tij. Lonnie Thompson, shkencëtari kryesues i kësaj “nekrologjie” natyrore, vërtetoi planetin se për disa dhjetëvjeçarë të tjerë paskëtaj, nuk do të ketë më dëborë në Kilimanxharo.
Dhe ndodhi realitet. Nga marsi i 2005-ës, pothuajse nuk duket më “kapelja” e ngrirë katrore e Kilimanxharos. Pas 11 mijë vitesh ekzistence. Ç’trishtim! I njëjtë me zhdukjen e atyre kafshëve mahnitëse të mijra viteve më parë nga planeti, duke e lënë botën tonë kaq të varfër nga bukuria. Do të mbetet ajo dhe historitë rreth saj në rrëfimet e mrekullueshme të Ernest Herminguejit. Diçka është dhe kjo…
Pra, këtej e tutje na mbeten vetëm rrëfimet mahnitëse të Heminguejit për vargmaket Kilimanxharo, referimi i tij tek përpjekjet e vazhdueshme të njeriut për t’u marrë vesh dhe bashkëpunuar me natyrën (me përjashtim të shekujve të fundit industrialë), përshkrimet fantastike rreth betejave për të fituar mbi vështirësitë e saj. Kilimanxharo është për shkrimtarin një poligon ku ai provon mundësitë dhe rrezistencën e njeriut.
Kthehemi gjithmonë tek këto rrëfime artistike të një vërtetësie dhe mjeshtërie të rrallë. Ato rreth bukurisë enigmatike të Kilimanxharos dhe njerëzve që e jetuan këtë mrekulli mahnitëse dhe vrastare, ata që edhe i rrezistuan asaj. Ngaqë dihet, një bukuri e tillë, sa enigmatike aq dhe vezulluese, mund të të vrasë… Duket se mbartin në vetëvete edhe një kuptim tjetër këto histori: pranimin e fatit të njeriut, si diçka që nuk varet krejtësisht prej tij.
“Dëborat e Kilimanxharos” fillojnë me një frazë mister: “Afër majës perëndimore të Kilimanxharos, ekziston sarka e ngrirë dhe e tharë e një leopardi… Askush nuk mund të shpjegojë se çfarë kërkonte leopardi në ato lartësi…” Fillon me një mister të vogël, për të shpjeguar të pashpjegueshmen: misterin e madh të atyre maleve. Mund t’i zotërojë njeriu ato apo malet do të kushtëzojnë jetën? Këtë përgjigje synon të japë në këtë vepër Hemingueji. Dhe e jep me mënyrën e tij, mistershëm, duke huazuar mënyrën e maleve që përshkruan.
Shumë fjalë janë thënë e shkruar për personazhet në këtë libër, sidomos për protagonistin, të cilin shkrimtari e emërton simbolikisht “burri”. Ngaqë është shkrimtar në profesion, kritika shpesh e ka personifikuar me vetë autorin. Mendimet janë të ndryshme, por neve anojmë tek ngjasimi i qëllimshëm i tyre, personazhit dhe autorit, thua se Heminguej donte të bënte me këtë libër një “autobiografi” artistike.
Le të konkretizohemi…
Shkrimtari shoqërohet në këtë udhëtim afrikan nga e shoqja. (Shpesh herë edhe Heminguej shoqërohej në to me gratë që bashkëjetonte). Gjatë një gjuetie – shkrimtari në vepër ishte i pasionuar pas gjahut – plagoset në këmbë dhe pastaj i infektohet ajo. (Janë të njohura edhe ndodhitë analoge të vetë autorit në vende të ndryshme të botës, pasi gjuetia dhe peshkimi rivalizonin tek ai pasionin e shkrimit). “Burri” është shtruar në krevatin e tij, tejet i dëshpëruar. (Kujtoni dëshpërimet kronike të Heminguesjit, të cilat dikur i kushtuan edhe jetën). Presin një aeroplan, i cili do ta merrte nga ai vend i largët, për ta shpëtuar. (Të vjen në mendje agonia e Ernestit dhe e të shoqes Meri, në kohën e largimit të fundit nga Kuba, kur fitoi revolucioni i Kastros, pak para se të vetëvritej nga stresi dhe pesimizmi). Por aeroplani nuk vjen kurrë dhe ngjan i pashmangshëm fundi i shkrimtarit, atje në fund të botës.
Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë gjendje të rënduar psiqike dhe fizike, shkrimtari nxjerr konkluzinet e veprimeve të veta. (Thua janë ato edhe të shkrimtarit?) Pendohet që burrëria e tij nuk iu përshtat kurrë feminizmit të saj, përshtatjes dhe kompromisit që kishte ajo si grua. Kësisoj, problemet mund të bëheshin më të lehta për t’u përballuar. Gruaja e pyet: “Nëse është të ikësh, është e domosdoshme të vrasësh çdo gjë që lë pas?” Kjo pyetje-akuzë e vret shkrimtarin, më tepër se infektimi. (Edhe Heminguej nuk ishte kurrë i kompromisit…) Në dëshpërim e sipër, “burri” flet në vepër për dashurinë midis mashkullit dhe terit të vetë. Konkluzioni që nxjerr? Katastrofia! Nuk ka snjë shans për të kjo marrëdhënie! Është mënyra, thotë, që njerëzit kanë gjetur për t’u vetëshkatëruar. (A nuk ishte edhe Ernesti vetë një njeri autokatastrofik?)
Nuk është i rastësishëm evidentimi i historisë së leopardit të ngrirë në majë të Kilimanxharos, në fillim të veprës, gjithmonë sipas legjendave vendase. Historia e njeriut është për shkrimtarin analoge me atë leopardit. Tani mund t’i përgjigjet pyetjes që shtroi në fillim të librit: ç’e shtyu kafshën të ngjitej gjer në majën e ngrirë? Kureshtja apo zotërimi më i mirë i ambjentit përreth? Fantazonte se sa më lart të ngjitej, aq më i madhërishëm mund të bëhej? Apo e tërhoqi djallëzisht gjer atje lart drita femërore e hënës? Këto janë enigmat e Kilimanxharos. Enigmat e vetë njeriut. Edhe të Heminguejit, si njeri dhe si shkrimtar. Për të cilat ka këtë përgjigje: asgjë nuk mund të të shpëtojë, fati është i shkruar: njeriu ka një sens vetëshkatërimi në vetëvete dhe… kaq. Fund! Nuk është kot përfaqësuesi më i ndritur dhe adekuat i shkrimtarëve të “Brezit të Humbur”…
_____

Nga Grigor Jovani
Athinë, maj 2023