Ne shqiptarët, vlleh, lebër, çamë, himariotë, zagoriotë, dropullitë dhe plot të tjerë që u dha jetë dhe i maturoi Selenica.
(mërmëritje nostalgjike për bashkëjetesën në Selenicën ku vajta fëmijë dhe jetova 45 vjet. Aty u burrërova…)

Nga Novruz ABILEKAJ

 

Secili nga ne shqiptarët, si çdo gjallesë e rruzullit, lindi pranë vatrës së tij. Aty iu pre kërthiza dhe iu vu emri. Andej mori mbi shpinë cilësimin; lab, malësor, kosovar, lal, myzeqar, përmetar, pukian, gramshiot, krutan, dibran apo në përshtatje me gurin ku gjakosi për herë të parë këmbën, me baltën ku u zhye deri mbi gju. Vatra e lindjes u jep cilësimin edhe italianëve, grekëve, gjermanëve, francezëve, anglezëve, gjithë kombeve.

Ne u ngjizëm me baltë Shqipërie dhe quhemi shqiptarë. Shqipëria (si Pellazgji, si Iliri, si Arbëri, si Shqipëri) ka qenë aty prej lindjes së njerëzimit
-dhjetëra-mijëra vite para lindjes së Krishtit apo Muhametit
–dhjetëra-mijëra vite para zbarkimit të Cezarit a Pompeut
-më shumë se kaq vite para shfaqjes së vojvodëve dhe sulltanëve
-më tepër akoma para krijimit të flamurit komunist.

U shpërnda “poleni” i “racës shqiptare” tej kufijve; në Greqi, Turqi, Itali, Evropë, Afrikë, Azi (Ukrahinë), Amerikë, Australi dhe nuk e humbi kurrë genin arbëror (arbëresh, arvanitas) dhe as i këputi ndonjëherë fijet shpirtërore që rrënjëzojnë nën kalldrëmet e avllive të lashta. Aq më pak është venitur kjo lidhje në të ikurit e vonët; shqiptarët e Amerikës, të Australisë etj.
Nuk do të ndodhë kjo me brezat e emigracionit të 20 viteve të fundit (shkruar më 2010).
Dëgjohet aty-këtu që bloza e politikës shqiptare të pluhërosë shtatin e Shqipërisë, por këta zëra janë emocionalë, kalimtarë dhe do të zbehen nën mjekimin durimmadh të kohës.
*
Shqiptarët kanë mbijetuar dhe do të mbijetojnë në standardet e botës së përparuar sepse ata dinë të vëllazërohen.
Nuk përjashtova trimërinë, guximin, vetëmohimin, veti këto të gdhendura në beteja kundër pushtuesve dhe zaptuesve, por jam i ngarkuar në këtë çast me prurje shembujsh për bashkëjetesë e vëllazërim.
Aq të shumtë janë shembujt sa mund të më zihet fryma nën peshën e tyre, prandaj do ta thjeshtoj çështjen duke “pikturuar” vetëm tablonë e një qyteze të vogël, tepër të vogël.

***

Pas luftës së dytë, domethënë, pas asaj lufte që shqiptarët e quajnë me të drejtë Çlirimtare (nuk e di në arriti të ishte edhe Nacional-Çlirimtare), u aktivizua miniera e Selenicës.
Sele/nica (fshat i vogël), sipas emërtimit nga sllavët e car Dushanit a të tjerë sllavë, ishte fare pak e banuar. Nën zotërimin e francezëve apo italianëve punëtorët merreshin nga fshatrat përreth dhe vetëm përgjegjësit banonin afër qendrës së minierës.
Ishin vlleh të vendosur aty shekuj më parë, megjithëse në zhargonin e përditshëm kishte zënë vend ndajshtimi ÇOBANË (duke përfshirë vllahët e sarakaçanët). Këta punonin nën tokë, nësipërfaqe, në kazanët e shkrirjes së bitumit dhe si karvanxhinj për të transportuar serën drejt Skelës së Vlorës. Edhe trenat me avull (tymi i zi i lëndës djegëse ngjyroste kë futej në çadrën e tij) vendas ishin përveç xha Ndrekos, të atit të Roland Likës të brezit tonë.
Këngët u këndoheshin këtyre karvanëve me mushka dhe këtyre karvaxhinjëve që udhëtonin pa pushuar sepse në port prisnin vaporët e Evropës.
Por, kaq forca nuk mjaftonin.
Për këto arsye, Selenica u popullua me të ardhur nga fshatrat rrotull (Armen, Treblovë, Romës, Karbunar, Kocul, Gorisht, Shkozë, Sevaster) nga Mallakastra, nga Lumi i Vlorës, nga Tepelena, nga Myzeqeja e Vogël, nga Gjirokastra, nga Pogoni, nga Çamëria. Nuk mbaron harta e vendeve të braktisura nga të ardhurit. Pikërisht të braktisura; trualli, stani, ara, mali. Rrallëkush, në mos askush, nuk e kthente kokën mbrapa. Andej po formoheshin kooperativat bujqësore dhe … ishte kockë e fortë kooperativa.
Rruga më e mirë mbetej braktisja e truallit dhe vaditja e shpirtit me lot.

Diagrama demografike i shtrinte gjymtyrët deri në Ulqin (Mësuesi Xhemal Dibra). Pa dyshim Mirditë (drejtor Prenga), Shkodër Jakovët), Krujë (Hamdi Kruja me Ollgën serbe), Tiranë (Drejtori i shkollës Gaqo, mësuesi i fizkulturës Edip Pilku, i gjuhës ruse Ferdinant Kopali, i shumë kulturuari Tanush Frashëri), Elbasan (Inxh. Niko Demçe dhe mësuesja Lavdie, Berat (Fatmir Berati, Besnik Rexhepi), Korçë (Aleko Iskali, Liljana Plumbi, Magdalena, Zhaneta), Përmet (këngëtari i “më qenke veshur me të bardha”, Gjirokastër (dy familjet Golemi; Sulo dhe Myslym, Siri Bozgo me Afërditën), Tetovë (Xhamia dhe Muxhia që shisnin ëmbëlsira për fëmijët; kaposha, shkopinj, llokume …).
Kuadro himariotë në arsim (Leonidha dhe Bebi Dhima, Milo Duni, Leonidha Dhrami, Foto Papadhimitri, Spiro Billa, Irakli Billa, Lefter Leka, Aleko Lami) dhe në mjekësi Niko Dhima, Spiro Buta, Klearko Bodini, Nikita Zoto, Spiro Lami).
Dropullitë (Mihal Porodini-shiste fishekore me bajame të pjekura dhe i la jetim Ritën dhe Petraqin se vdiq në bug, Thoma Margariti me vëllezëri, Niko Theodhori, Mili Bollo, Pirro Papingji etj). Lunxhëriotë dhe Zagoriotë (Dhimitër Vangjeli, Leonidha Qirushi, Perikli Nano, Panajot Qirushi, Noti Papandoni).
Llaqi, Stiljano e Nonda Dhefto me familjet e tyre. Ilia Vangjeli, Pandeli Muçi me të tijtë; Nako, Minella, Mariza. Familja Mati; Simon, Pilo, Irakli.
Edhe kazakistanasit (specialistët që i quanim RUSË: Jura, Olegu etj) kishin vatrën e tyre në Selenicë.
Kuadrot kryesor të minierës; Kristo Papajani, Sotir Dodona, Sinan Xhemili-Tozaj, Faro Xhango, Gudar Toto, Petro Meksi, Rustem Osmani, Gani Ruçi, Luftar, Nazmi Duraj, Pëllumb Tahiri dhe të NFP-së: Llaqi, Ilia Vangjeli, Sotir Koçeli, Llazi Malo të ardhur ishin.
Po të vëreni me kujdes do dalloni se si bashkëjetonin shqiptarë e grekë, lebër dhe çobanë (arëmënë), çamë dhe veriorë, të krishterë e myslimanë, të bardhë dhe me ngjyrë.

U ndërtuan disa shtëpi përdhese, varg njëra pas tjetrës. Çdo ndërtesë kishte dy hyrje me nga dy dhoma. Midis dhomave (4mx4) korridori 2×1,5 dhe në faqen e korridorit nevojtorja. Kjo e fundit ishte pak më shumë se 1mx1m. Poshtë saj, nga “frëngjia” ku shkarkoheshin nevojtarët, dukej gropa e fekaleve.
Pikërisht në dy dhoma të tilla me këtë nevojtore të përbashkët, strehoheshim ne dhe familja e Harun Mehmetit. Familja jonë përbëhej nga gjashtë persona të tre brezave, kurse familja e Harunit kishte shtatë frymë. Të trembëdhjetë jetonim si një familje. Nuk thashë që Haruni ishte “evgjit” Gjirokastre dhe kishte ardhur në Selenicë si zanatçi për punimin e teneqesë. Merushja, e zonja ngjyrë errët e asaj shtëpie, ndriçonte nga mirësia.
Kërciste kudhra (dy kudhra kishin në mes të dhomës së vetme, 4m x 4m). Ata ishin tre veta që ktheheshin të dehur në shtëpi. Edhe im atë nuk mbetej prapa. Nuk thuhet se ç’zallamahi bëhej në kuindiçinë (pesëmbëdhjetë ditësh) por, midis dy familjeve mbretëronte një paqe qiellore.
Unë dhe Fatmiri ishim moshatarë. Ai kishte lëkurë të zezë si afrikanë, megjithatë asnjë koncept a paragjykim nuk na pengonte të lëpinim të njëjtën kaposhkë sheqeri apo, në vitet pas ndarjes, të putheshim buzë më buzë. Agroni e Namiku, kushërinjtë e Fatmirit që rrinin te pallati i Sharrajve në Shesh të Flamurit, më trajtonin si vëllanë e tyre, kur m’u desh të jetoja në konviktet e Vlorës.

Përtej murit me gjysmë tulle banonte Mezani. Prindërit e tij pak vjet kishin që kishin ardhur nga Çamëria. Gjyshja shurdhe na dhuroi gjithë thesarin e rrëfimit popullor. Ajo rrëfente tërë natën. Mezani kishte thyer një tullë që të dëgjoja edhe unë nga dhoma ngjitur.
Moshatarët e mi; Kiçoja e Buli (grekë), Todi (Vllah), Bajrami (kuçiot), Fatmiri (evgjit), Mezani (çam), Dhori (fierak) hynin dhe dilnin në shtëpinë time pa trokitur. Ashtu si edhe unë në shtëpitë e tyre.
Babai i Kiços ishte millona (grek, pra, do kishte patjetër zanat) dhe na jepte miell për kulaç. Gjyshja e Todit nuk fliste mirë shqip ama na puthte me radhë dhe na mbushte grushtat me mëna. I ati dhe e ëma e Bajramit, të cilët ishin infermierë (doktorë u thoshim), na shërbenin për shëndetin si të ishim fëmijët e tyre. Te Fatmiri çonim për të ngjitur bishtat e xhezveve duke paguar më lirë dhe me të pritur, kurse te Mezani rolin e kishte gjyshja dhe ne asaj i mblidheshim rreth çitjaneve që të na tregonte edhe njëherë se si qerosi zbrit në botën e poshtme. Pus dhimbjeje ishte. Mitet dhe fantazia se si mund të gjendet e drejta ishin ujësia e atij pusi.
Mjaft fola se m’u zu fryma.

Të tillë vëllazëri krijonin të gjithë shqiptarët midis tyre. Dy dibranët maqdonas, Muxhja dhe Xhamja, sië thashë, përgatisnin llokume dhe ëmbëlsira të tjera (shkopinj sheqeri, kaposhka, llokume) që të lëpije duart. Djem të rinj ishin dhe ata, bile nxënës shkolle, por e kishin traditë nga Dibra e prindërve. Dilnim me vrap nga shkolla dhe qëndronim pranë tezgës së tyre. Ata na jepnin ëmbëlsirën e preferuar duke shënuar emrin në një defter të ndotur me vajra, edhe na qerasnin me pluhur llokumesh sa që ktheheshim në shtëpi jo të vdekur për të ngrënë.
“U fale më përpara te gega, ë?”, më qortonte nëna. Kështu qortoheshin të gjithë shokët tanë.
Ata I kishin vendosur tezgat para dyqanit të bukës, ku Lksa e shiste me një late triska dhe 6 lekë kilen (kilja aëtëherë ishte 1000gr dhe josi sotqë e dime se sa është!!!).
Mjaft, pra. Nostalgji të gjitha këto. Anakronizëm.
Njeriu i ditëve të sotme ka gjëra të tjera për të bërë. I duhet të pasurohet, të pasurohet, të pasurohet.
Prandaj, me hapjen e kufijve pamë se nuk e paskemi dashur aq shumë njëri-tjetrin. Nxituan shokët e miqtë të shpalleshin grekë, armenë, demokratë, ballistë, republikanë…

Ah!
Mjaft! Mjaft! Mjaft, ndonëse kam shumë për të thënë.
Mallëngjimi, virtyti dhe dashuria janë cilësi të njeriut të dobët.

Me mall të patretshëm për Selenicë; bashkëmoshatarët, vendasit, të ardhurit, ikatarët.