Tregim nga Fatbardh AMURSI

 

Si të gjithë femrave, edhe Melit, i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. Që të bjesh në sy, s’është e thënë të vërdallosesh nëpër qytet, hidh një foto në instagram, zërë se ke hedhur thërrmija biskote në ujë apo ca kokërra gruri në dorë: që të turren peshqit apo të ndillen pëllumbat. Nëse ke dhe vilë suksesi është i garantuar. Meli jeton në pallat pa ashensor. Mirë do ishte të kishte dhe një bibliotekë, por, ato pak libra që ka, shumica të dhuruar, nëse i ekspozonte, do i binte klasi. Kur postoi në facebook poezinë “Jam zot i trupit tim” ndjekësit u shtuan ndjeshëm, sidomos profilet fallco. I shoqi i Melit, një burrë i shtruar, i kishte zëtë rrjetet sociale. As telenovelat nuk i pëlqente. Edhe në fotografi dilte rrallë. I quante humbje kohe. Pikërisht tek koha dallohej ai me të shoqen. Ajo donte ta vriste kohën, ndërsa ai të mos e shkonte dëm. Si inxhinier kimist, iu shmang ftesës për t’u specializuar për armët kimike, kështu që preferoj pozicionin e një teknologu në prodhimin e pijeve. Nuk e fuste alkolin në gojë, sikurse shmangte pijet me gaz. (Për t’i dalluar edhe më: Meli anonte nga kimia imorganike, ndërsa i shoqi nga ajo organike, ndonëse krijonin një përshtypje të kundërt, meqë ajo vinte si e hedhur dhe ai i matur deri në mërzi.) Inxhinierit puna i kish duk dhe mirëqenia e familjes po rritej dita-ditës. Ishte Meli, që po e manifestonte bumin ekonomik. Për arsye, që ai s`i kuptonte, ajo kish filluar të bëhej grindavece, sa një ditë do i thoshte të shoqit: “Ti s’më meriton mua”, kur realisht, ajo s`ishte e denjë për të. Ishte e kot t’i thoshe se i gjithë shkëlqimi i saj, ngrihej mbi zotësinë e tij, por ai s`e kishte për zakon të mburrej.
Poezia “Jam zot i trupit tim” u kuptua si një thirrje, që u interpretua, si ankesë që e ka burim tek shtrati bashkëshortor, ku dikujt i kthehet në shtrat të nxehtë dhe një tjetri në shtrat topi dhe për rrjedhojë pritet, që lumi të dalë nga shtrati. Në garën e pashpallur se kush të bëjë përshtypje më shumë, Meli po dallohej dhe në gjuhën e trupit. Arriti të bëhej e lakmuar, sidomos për ata që jetonin në vende të huaja. Dhe ai që po e tërhiqte më shumë: ishte Vili, tip shoumeni. E gjithë kultura e tij ishte me të dëgjuar, sidomos shprehjet dhe thëniet e njerëzve të mëdhenj, që i postonte si të ishin të tijat. (Pellgu për t`u dukur i thellë, turbullohet.) Për t’i mbushur mendjen Melit, se ai s`ishte një dosido, postonte foto në biblioteka, librari, gjuante ndonjë aktivitet ku promovoheshin libra dhe bënte selfie me ndonjë autorë të njohur. Arriti t’i krijojë vetes imazhin e një intelektuali. Sapo ajo postonte ndonjë poezi, ai s`do ia kursente pompimet, me provokime të brendëshme, ku metaforat kërcasin si kokoshka dhe mesazhet shprehnin një kod biblik. “Jepi gaz!” – i thoshte vetes, sa herë që lëshonte zjarrllëqe të tilla, përngjashëm me flakën e kashtës. “S`po mbahesh ti?!” – do i thoshte një ditë i shoqi, si për t`i thënë se syrit të tij s’i shpëtonte asgjë. “Avash ti!”-iu kthye ajo shpërfillëse.
Meli po e krahasonte veten me një sirenë, e cila shkon tek direku i anijes për ta zgjidhur Odisenë me duart e saja. Tashmë Odiseja e kishte emrin Vili, gili-vili domethënë. Një ditë ai e lajmëron, sipas fjalës së dhënë, se kishte mbërritur në qytetin e saj dhe ajo nuk vonoi ta ftonte në shtëpi, meqë i shoqi ish nisur në fshatin pranë ku do ndihmonte dikë në prodhimin e verës. Sapo ajo i hapi derën, iu shfaq Vili, i gjithi në lesh, profili në facebook ishte falco, duke i lënë përshtypjen e njeriut të palarë. Zhgënjimi ia mpiu trupin. Ngurosjen e saj ai e mori si impresionim dhe s`priti gjatë: u sul për ta fituar sa më shpejtë atë “plaçkën”. Të gjitha luftrat në botë dhe revolucionet a s`bëhen për plaçkë, mendoi Vili, duke sjellë në mend Helenën. Ta perceptoje Melin si plaçkë tregu, ishte njësoj si të përdorje lingotën e arit për skrap. Ajo harroi se po jetonte në kohën e plaçkitjeve. Asaj s`i mbeti gjë tjetër veçse “mos, mos, mos” dhe shty me duar, deri sa ai dëgjoi më pas: “Oh” e “uh”, që ajo përdorte në poezitë “Jam zot i trupit tim”. Si të gjitha aventurat erotike të Vilit dhe kjo përfundoi me kapje në flagërancë. Edhe në shkollë, kur kopjonte, ishte i pari që kapej. Policia italiane, nga që e kishte në listë e arrestonte sa herë që i duhej të merrte ndonjë të dhënë. Për një si Vili, të kapeshe mat, ishte shenjë pandjallëzia dhe turpin ta mbajnë ata, që e fusnin na kurth. Jam i hapur, mburrej ai. Emigranti është si puna e breshkës, që e ka shtëpinë me vete, bujt ku e zë nata, ama po zuri një hotel me 5 yje, mos ia bë harram dhe qeshte me të madhe. Në këtë rast me 5 yje ishte Meli. Ndaj për Vilin, rëndësi kishte se me kë e kishin kapur dhe jo turpi i flagërancës. Meli do i kthehej atij në mburrje, ku s`do mungonin dhe të tillë, t’i thoshin: bravo të qoftë, duke iu lutur t’ia tregonte historinë erotike. Me t`u rrëfyer aventurën me Melin, kofshët, gjoksi, vithet, sperdredhjet dhe seksi i saj, do bënin “xhiron e botës”. Kësisoj zot i trupit të Melit u bë Vili, që, mes shokësh, njihej si “zhulsi”.
***
Historia e Melit bëri bujë dhe ajo për të humbur gjurmët shkoi në Tiranë, pa u penduar për gjëmën, që i kishte krijuar vetes. E mbante në këmbë inati dhe jo sedra. E fshiu Vilin nga facebook-u, por jo nevojën për të patur një si ai, që t`i bënte qejfin. U lidh me ca poetë, shkrimtarë e kritikë, që, i takonte çdo fund javë tek Taivani, të cilët po e quanin atë “një element të pazbuluar”, e cila një ditë do të vihej në kuadratet bosh të Mendelejevit, duke u grindur dhe në prani të saj se kush e kishte zbuluar i pari. (Pas disa ditësh ajo do shkruante tregimin: “Dikush u varros në kuadratin bosh të Mendelejevit”.) Gjithkush prej tyre bënte diçka, që ajo të bëhej e famëshme. Për shkak të moshës, në këmbim ata s`kërkonin asgjë. Por, kishin një huq të keq, sapo do largohej ndonjë prej tyre, do ia numëronin gjithë të ligat. Në fund asaj do i rezultonte se të gjithë vuanin nga e njëjta sëmundje, por që nuk e dallonin dot tek vetja. Në ditën që do të largohej përfundimisht prej tyre, mbeti me “babanë e teqesë” dhe “njeriun e heshtur”. I pari linte përshtypjen e babaxhanit, dhe tjetri, sa herë që matej të fliste, s’i linin radhë shokët. Ata e nënvleftësonin ngaqë ai kish punuar në të shkuarën shef kuadri dhe merrej me hartimin e dosjeve.
-S’desha të flisja në prani të atyre që ikën, ëbëbë, ziliqarë të mëdhenj! Ti s’ishi këtu, por plasën nga inati, kur u thashë se një miku im nga Italia, më kish recituar poezitë tek arbëreshët dhe ata vuu lotët nga malli për atdhe! Më thuaj, nuk i ka hallall lekët ky, që të bën gjithë këtë rekllamë në botën e huaj?! Vetëm ty do ta rrëfej emrin e tij dhe do t’ia lë porosi, që t`i recitojë ata poezi, që po pataksin dynjanë! Vili quhet, ja shihja foton!-Meli u bë mel në fytyrë. Ishte po ai profil fallco, që kishte mashtruar dhe atë.-Flori djalë! S’kam para njeri më zemërbardhë nga ai! Pres të vijë këto ditë dhe do të prezantoj me të!-ndërkohë i bie celulari.-Ika, se kaloi ora dhe kush e dëgjon atë luvgjinë, që kam në shtëpi! S`po mblidhesh në shtëpi, më thotë! Po t`i hanë lekët dashnoret! Nuk di se kush i ka folur për ty?! Ndoshta ka kuptuar gjëkafshë nga ato poezitë e dashurisë, që postoj në faceboook! Ah, ato komentet e tua po ma shtojnë jetën! Jepi motra!-nxitoi të ikte, duke mbledhur buzët, si t`i thoshte: kështu është kur të zë belaja: do ikësh kur të rrihet. Të tillë si ky ishin ata, që ia mbanin gjallë emrin nëpër gazeta, të cilët e quanin sukses kur një “zhuls”, si Vili, i mashtronte. Për ta mburrur ca të tillë, kish shkatërruar jetën e saj? U mat të ikte, por ai që s`e kishte hapur kurrë gojën u kujtua të fliste:
-Jam matur dhe herë të tjera, ta them! Pse e bën harram jetën tënde me ca të rrjedhur?! I ke dëgjuar ndonjëherë këta të flasin për libra? As ty të lexojnë, veçse veten! Sa herë që ti largohesh nga tavolinë, e di si thonë për ty: “Kjo vetëm për atë punë është!” dhe kur shkojnë në shtëpi të kushtojnë poezira erotike! Andej nga anët tuaja kam patur një shok student! Ishte zheni! Student me valixhe prej druri dhe me lata mbahesha, ndërsa ai lekët që i dërgonte familja me mua i prishte, dhe ushqimet që i sillnin bashkë i hanim! Jeta bëri të vetën dhe u harruam! Nuk ia falë vetes, që i humba lidhjet me të! Lexoj tek këto veglat e shejtanit, kështu i thoshte ai celularit, se e paskan gjetur të mbytur në një kanal vaditës. Kur ai i tha emrin dhe i nguli vështrimin, asaj iu duk sikur i drejtoi akuzën: ti duhet ta kesh vrarë. Në fakt atë e vrau koha, që banalitetin e veshi me ar.