Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me operatorët turistikë dhe të hotelerisë në Gjirokastër, ka folur dhe për luftën në Ukrainë.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se ky dimër pritet të jetë më i vështiri që pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak se Europës i janë kufizuar burimet e energjisë.

Më tej Rama theksoi se çmimi i energjisë në vendin tonë nuk ka ndryshuar ndërsa ka shtuar se qeveria shqiptare po u bëhet mburojë qytetarëve.

“Bota, Europa e Shqipëria kanë hyrë në një epokë të re kërcënimesh e rreziku që vjen nga përshkallëzimi i një konflikti që ka degraduar. Po flitet për luftën bërthamore sikur po flitet për një përplasje me gurë në lagje. Edhe pse ne nuk jemi aty ku është konflikti jemi nën goditjen e inflacionit të kësaj lufte. Jemi ndaj agresionit ekstrem ndaj Perëndimit. Basti i Putin është  rrëzimi i Putin është rrëzimi i Perëndimit nga dimri. Po flitet sot për një dimër që do të jetë më i vështiri pas luftës së Dytë Botërore. Europës i janë kufizuar burimet e energjisë. Ne jemi ende të pa goditur në këtë aspekt. Ne vazhdojmë të funksionojmë me çmimet e paraluftës, ndërkohë ajo që nuk duket është ajo që paguan  buxheti, arka e përbashkët e shtetit. Besoj se qeveria është këtu për t’u bërë mburojë qytetarëve”, tha Rama.

Rama u shpreh se qeveria është duke parë nëse do të krijohet dot mundësia që të mos vendoset fasha 800 KW edhe për muajin Nëntor, siç ndodhi për Tetorin. Por për këtë, ai përsëriti se duhet të kemi reshje dhe të kursejmë energji.

“Jemi duke parë do të krijohet dot një mundësi që të mos vendoset fasha në muajin Nëntor. Për t’u krijuar kjo mundësi duhet nga njëra anë të kemi reshje. Koha është shumë e bukur. Unë jam së bashku me kolegët dhe kolegët e qeverisë me një mërzi të brendshme sa herë hapim sytë dhe nuk shohim shi. Përveç reshjeve duhet edhe kursim”, u shpreh Rama.