TRIFON XHAGJIKA
(29 PRILL 1932 – 23 dhjetor 1963)
Poeti që, siç ka thënë Xhevair Spahiu “guximin e shpalosi botërisht”, lindi 91 vjet më parë më 29 prill 1932 në Peshtan të Tepelenës…

U pushkatua nga regjimi në vitin 1963, në moshën 31 vjeçare…
Ende sot nuk i dihet vendvarrosja.

Fjalët e tij të fundit përpara togës së pushkatimit ishin:
“Më jepni një top ti bie sistemit tuaj!”
_____

KËNGA E VERBËR

E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh të zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr, e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër, e duart t’i presin;
në burim të çojnë, e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelikë!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.
Sa do të doja,që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të më zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtar, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfejë të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.
O Republikë e pabesë!
T’u fala, si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’dua të di kush je!
Tek ty jam
I lirë pa liri,
I gjallë i pajetuar,
I vdekur i pavarrosur.
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimi i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe, ti,o Republikë,
e gjora republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha mu zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!”

______

Përgatiti Saimir Z. Kadiu