Macron pas takimit me Putin: Ditët në vijim, vendimtare për fatin e Ukrainës

Presidenti francez Macron ka thënë se ditët në vijim do të jenë vendimtare për konfliktin Rusi – Ukrainë, pas një takimi presidentin rus Putin, të hënën.

Moska ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht grumbullimit të rreth 100 mijë trupave në kufi.

Megjithatë, shqetësimi i fuqive perëndimore për mundësinë e një sulmi sa vjen e rritet.

Zyrtarët amerikanë thanë të dielën se Rusia ka mbledhur 70% të forcave ushtarake që nevojiten për një pushtim të plotë.

Vendet perëndimore kanë hedhur poshtë një sërë kërkesash të Moskës, si përjashtimi i mundësisë që Ukraina të bëhet pjesë e NATO-s dhe që NATO të mos zgjerohet në Europë.

Macron, i cili bisedoi me Putinin gjatë një darke pesë-orëshe – nga njëri cep i një tavoline të gjatë në tjetrin -, u tha gazetarëve se ditët në vijim do të ishin “vendimtare” dhe se “kërkojnë diskutime intensive që do t’i ndjekim së bashku”.

Macron është vetofruar si një ndërmjetës i mundshëm mes Perëndimit dhe Rusisë, me zyrtarët francezë që janë shprehur skeptikë lidhur me parashikimet e Uashingtonit dhe Londrës se sulmi i Moskës ndaj Ukrainës është shumë i afërt.

Dyshja do të bisedojnë sërish menjëherë pasi presidenti francez të udhëtojë në Kiev për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të martën.

Më vonë pas takimit, Putin përsëriti paralajmërimet e mëparshme se nëse Ukraina i bashkohet NATO-s dhe përpiqet të rimarrë Krimenë – të cilën Rusia e aneksoi 8 vjet më parë – me forcë, Evropa mund të zhytet në një konflikt të madh.

“A doni që Franca të luftojë me Rusinë?”, pyeti ai gazetarët francezë. “Kjo është ajo që do të ndodhë. Dhe nuk do të ketë fitues.”