Shtetet e Bashkuara u kanë ofruar talebanëve një listë të qytetarëve amerikanë dhe afganë që synojnë të evakuohen nga Kabuli.

Sipas një raporti nga gazeta amerikane “Politico”, e cila citon një burim nga Pentagoni, zyrtarët amerikanë në Kabul u dhanë talebanëve një listë me emrat e qytetarëve amerikanë, mbajtësit e kartave jeshile dhe aleatët afganë për të lejuar hyrjen e tyre në pjesën e jashtme të aeroportit, të kontrolluar nga militantët”.

Vendimi i tyre mësohet se ka zemëruar ligjvënësit dhe zyrtarët ushtarakë, të cilët besojnë se kjo listë do të përdoret nga talebanët për t’u hakmarrë.

Zyrtari nga Pentagoni beson se një hap i tillë do të rrezikoi jetën e njerëzve në këtë liostë. “Në thelb, ata thjesht i vendosën të gjithë afganët që na ndihmuan në një listë vrasjesh,” tha një zyrtar i mbrojtjes për “Politico”.

Pentagoni kishte për qëllim të “përshpejtonte” përpjekjet e evakuimit, por vendimi do të ketë sipas ekspertëve efektin e kundërt.

Presidenti amerikan Joseph Biden tha në një konferencë të enjten se ai nuk kishte informacion të saktë që konfirmon ekzistencën e listave të tilla. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se në raste të shumta, ushtria amerikane kontaktoi talebanët për të liruar disa qytetarë.

Talebanët morën kontrollin e perimetrit të jashtëm të aeroportit të Kabulit fill pas futjes në Kabul, ndërsa qytetarët mësynë për t’u larguar nga vendi.