Presidenti Ilir Meta ka qenë i ftuar sot në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku ka treguar pse është i shqetësuar dhe ka shtuar dozën e kritikave kundër qeverisë. Përballë gazetarit Blendi Fevziut, Meta tha se ai është i shqetësuar se të rinjtë po largohen nga vendi. “Unë kam vetëm një shqetësim, nëse nga Shqipëria largohen 12 të rinj nga Serbia 1. Nëse nga Bosnja largohet 1 në Shqipëri largohen 18.4”, tha kreu i shtetit.

Më tej Presidenti u pyet dhe për akuzat e Ramës, i cili ka thënë se Ilir Meta është takuar me kontingjent krimi dhe po përgatitet për fushatë elektorale. “Me shpifjet e Ramës nuk merrem fare unë. I vetmi person që është me rekorde kriminale që unë jam takuar për shkak të detyrës është vetëm Edi Rama”, tha Meta. Po ashtu Meta komentoi dhe deklaratën e Ramës, se ai dinte dhe vendin se ku ishin zhvilluar takimet e Metës me subjekte të OFL-së.

“Leri more këto se janë përralla. Unë ruhem nga Garda, unë qëndroj në vende të sigurta, qëndroj këtu në Presidencë, tek shtëpia dhe e kam të vështirë dhe të pi një kafe me ju”, shtoi ndër të tjera kreu i shtetit.

Sipas Metës akuzat e Ramës janë mashtrime dhe shtoi “ai gënjen dhe pa hapur gojën, jo më kur flet. Sa herë ka hapur negociatat, sa herë ka plasur shampanja”.

“I rëndë është që ai ka ngritur murin e rilindjes kundër integrimit europian të Shqipërisë, se të Partisë Socialiste jo se e kam në zemër. Me lista të hapura ai nuk del deputet në asnjë qark të Shqipërisë, ai po mban peng PS-në por nuk merr dot peng Shqipërinë. Gjithë qytetarët i pyes kush i futi deputet kriminela në Kuvend. Si mund të besohet ky njeri ky është mister 1 prilli, mister gënjeshtra”, u shpreh Meta.

“Çfarë do të filmonte kamera e fshehtë në bisedat e mia me Edi Ramën”

Deklaratat publike të Presidentit Ilir Meta kanë treguar një retorikë të ashpër të tij ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që ai drejton.

Meta është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se si i ka marrëdhëniet personale me Kryeministrin.

“Nëse do kishit kamera të fshehtë, do shikonit që marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera në kuptimin personal, ai është shumë i dashur, i respektueshëm. Problemi është kur jam larguar nga detyra e Kryeministrit në 2002, Shqipëria ishte e përfshirë në procesin e stabilizim-asociiimit, dhe Serbia e Mali i Zi as ekzistonin fare në një proces të tillë, sot janë shumë përpara nesh ato”, është shprehur Presidenti Ilir Meta.