Ese nga Fatbardh AMURSI

 

Nëse i telefonon Xhelal Toskut s`të del fotoja e tij, por, kalaja e Bashtovës. Një kala në fushë, e pangjashme me të tjerat. Brenda saj kërkon me sy poetin, por ai s`duket. Me kalanë kupto provincën dhe ai duhet t`i rezistojë. Mund të merret dhe si “kullë e fildisht”. Por, poezia e tij s`ka mure, as dhe shenja pikësimi, në to ka erëra që fryjnë, lumë që rrjedh, stinë që këmbejnë vend me njëra-tjetrën, pa shumë ngjarje. Dhe kur ndodh ndonjë pasuron “kronikat e zeza”. “Unë e kam një arsye për t’mos vdekur” shkruan poeti dhe ti do ta dish, mbase të hyn në punë dhe ty arsyeja e tij, por ai zë e numëron lulet, të cilat s`e trëmbin vdekjen. Dhe kush: lulet, që të bëhen kurorë?! “vetëm një lule kamelie/më tregoi që ti ekziston/fjala lindi më vonë/vetëm e vetëm prej teje”. Ajo ç’ka e mban gjallë është vështrimi i asaj, së cilës i mungojnë tiparet. Ka frikë ta identifikojë, si çdo njeri, që është mësuar t`i humbas gjërat e shtrenjta. Të kërkosh kaq pak, një vështrim, kur femra për të tjerët është me bollëk? (Në media u dha lajmi se në Rrogozhinë kish gra që e shisnin trupin për dy mijë lekë.) Por poeti është akoma tek kalaja: “nuk e kam ditur/çfarë është një rreze drite/më zbuloi rrugën ku duhej të ecja/buzëqeshja jote.” Kur zënë e çelin lulet ka dhe ai pjesën e vetë. Shkruan emrin e saj në pemë, në gurë, sikurse bëjnë të gjithë në katund, por, askush s`ndjen si ai. (Në qytet i shkruajnë emrat e të dashurave në banjo.) “Ajo shkonte në dyqan/dhe blinte për mua trëndafila./kuptohet: artificialë”, ndërsa poeti mbjell trandafila natyralë në bahçen e tij. Dhe vjen pyetja dërrmuese: “manushaqe e bukur përse në ferrë” dhe ajo i përgjigjet: “për shkakun tënd zotëri”. Me sa duket manushaqja bukuroshe ka mbetur atje ku e la Naim Frashëri, gjithnjë për faj të zotërisë. Zgjedh që mëkatet e tij t`ia rrëfej Gjergj Fishtës, ndërsa ajo rrëfehet në kishë. A doni ta kuptoni arsyen pse ai është bërë banor i kalasë? Lexoni vargjet: “njeriu i dorëzuar nuk ka shtëpi/nuk ka atdhe/nuk ka president/nuk ka kryeministër/nuk ka deputet/…nuk ka eter/nuk ka bijë/nuk ka vëllezër/nuk ka motër/…nuk ka as miq/nuk ka as shokë/dhe xhepat i ka bosh/për njeriun e dorëzuar/vdekja ka fytyrën më të bukur se të gjithë”. Dhe ky rrëzim i vjen fill pas ikjes së asaj. (E dashura mund të jetë dhe muza.) Ndërsa ai ushqen me thërrime një harabel rrëzuar nga pema, ajo “merr autobusin dhe ikën/merr avionin dhe ikën”. Ikjet e saj ushqejnë tek ai: “trishtime prej hëne”. Përkundër njeriut të dorëzuar ka dhe të tillë, që s`dorëzohen kurrë, jo për shkak të vlerave morale që mbartin, por për këto, që thotë poeti: “disa janë të mëdhenj sepse janë të mëdhenj/disa ndjehen të mëdhenj sepse të mëdhenj i kanë shpallur të tjerët”. Kur madhësia është dukuri e fiktivitetit, e hormoneve, statujat prej dylli kthehen në modë. Dhe a duhet besuar poeti, kur i drejtohet vetes: “unë nuk kam autobiografi/jeta ime është e vockël/sa një kokërr meli/e mori milingona/dhe e futi në dhè”? S`ndodh, që një i vogël të bëhet banor i kalasë. Nuk po flasim për Kalanë e Elbasanit, por për atë të Bashtovës. Një miku do i uroj të bëhet biznesmen, ministër, kryeministër, president, por “përpara se shpirti t’më rrëzohet/përpara se trupi t’më dorëzohet/do ta marr Xhelalin përdore/do ta çoj në fund të kopshtit tim/atje ku me duart e mia/kam mbjellë ullinj dardha rrush fiq/kumbulla arra dhe bajame/dhe e di çfarë do t’i bëj/do ta pushkatoj/do t’i fus plumbin.” Ndërsa shoku do të vazhdojë të shijojë të mirat e kësaj bote, që “i ka mbrritur ashtu si në këtë vend/i kanë mbrritur plot e plot të tjerë.” Koha vjen që unë të iki, mërmërit poeti. Kujtuam se koha po vinte për ne dhe e bën të tyren ata, që s`deshën kurrë, që ajo të vinte.
Poezitë e Xh. Toskut janë pa titull, për të gjetur qytetin e tij të vogël s`nevojiten tabelat, por, poezia kushtuar poetit Faslli Haliti është e vetmja, që ka titull. Ike pa një shenjë, pa një lamtumirë, i thotë, pse s`ndenje dhe pak, sikur i lutet, dhe detyrohet ta lëshojë gojën: “do e bëjnë gjumin rehat të gjithë ata që nuk të deshën”. (Kadare më thoshte se në Bashkimin Sovjetik mbaheshin mend të gjithë ata poetë dhe shkrimtarë që i kishin bërë keq kolegëve të tyre. Tek ne, sikur po ndodh ndryshe: rehabilitohen keqbërësit dhe u sulen atyre, që u janë gjendur shokëve e miqve në ditë të keqe.) “kur erdha unë/atdheun tim e kishin vrarë/çfarë mund të bëja “ Autori rri me orë të tëra mbi hekurudhë për të dëgjuar një fërshëllimë treni. (Shkëlqimi i Rrogozhinës i përket kohës së hekurudhave.) Katër cikle me poezi të botuar vitet e fundit në gazetën ExLibris janë një dëshmi autentike e një poeti të pakonsumuar. E thënë thjesht: del në treg, kur piqet fiku i bahçes së tij. Xhelali nuk ka facebook. (Kur i thashë Sherif Balit, pse nuk hap një adresë në facebook, m`u përgjegj: “Se mos Homeri ka patur facebook!”) Xhelali shkruan në hesap të vetë, si një kalors i vetmuar i kalasë së Bashtovës, duke shkruar vargje, që nuk harrohen kollaj: “njeri katund matanë lumit/katundi im këtej lumit/shkonim e vinim me varkë-ndjeheshim bashkë/kur u ndërtua ura-u ndamë”. Dhe në dëshpërim, shkruan vargjet: “në atë varkën tënde të vogël, Noe/a ka ndonjë vend për Xhelalin?!”

_____