Tregim nga Vasil KLIRONOMI

Natën e çdo nëntë tetori, në qytet dritat fikeshin; nuk lejohej as flaka e shkrepëses. Banorët kush me pushkë të vërtetë e kush me pushkë druri, të tjerë të pajisur me flamuj i ngjiteshin shpatit të malit. Të rriturit hynin transheve dhe bunkerëve, ndërsa nxënësit e shkollave fshiheshin pyllit. Përjetimi i luftës kërkonte të plagosur, akoma dhe të vrarë. Të parët lyenin veshjet vende – vende me bojë të kuqe, të dukeshin si pllanga gjaku; të dytët, barteshin në shkalca si në kushtet e luftës reale. Nuk kish natë më të përshtatshme që të shprehte ata njerëz. Veteranët merrnin përsipër mandatin e prurësve të lirisë. Organizimi në pikën sipërore, por që armiku të kapej në befasi duhej fshehtësi dhe qetësi e plotë. Asnjë pipëtimë! Edhe pse fitorja dihej, ankthi i pritshmërisë bëhej i dukshëm; ishte një përjetim lufte. «Lufta, ah lufta! Shumë vonë për t’ i thënë ndal!»* Aty nga ora pesë e mëngjesit jepej kushtrimi. Nga malet përreth dëgjoheshin gjëmime; më pas, automatikët, pushkët, thirrjet; të gjithë zbrisnin duke brohoritur…. Dhe së fundi qyteti çlirohej! «Luftëtarët» me në krye ish partizanët, marshonin rrugëve. Një veterane këndonte internacionalen akapelo. Dhe përsëri thirrje; fjali këlthitëse përfundonin në ekstazë. Më pas, grumbullimi në qendrën e qytetit. Në podium, ai që në trup kish më shumë plagë; pas tij, gjithë të dekoruarit.
Ishte një nga ditët që banorët e prisnin gjithë vitin. Në jetën e përditshme gojëdhënat për luftëtarët venin e vinin; sidomos te klubi i veteranëve ku ish partizanët, shpesh ngatërronin hesapin e gjermanëve të vrarë. Kish nga ata që nuk flisnin, bile nuk merrnin pjesë as në çlirimin imagjinar të qytetit, por ata ishin pakë, fare pakë. Një ditë njëri prej tyre nuk duroi dhe ua përplasi fytyrës: «Asnjëri prej jush nuk mori pjesë në luftën për çlirimin e qytetit! Dhe e dini pse? Se luftë nuk u bë. Qytetin e gjetëm të çliruar nga anglezët.»

Si ngriti bluzën, të gjithë panë në gjoksin e tij një tatuazh. Ishte emri i ushtarit anglez, që ish partizani ynë, ia kish kërkuar për mirënjohje.

_____
*) Varg i poetit Luis Aragon