FATMIR TOÇI
ARBËRESHËT – SHQIPTARËT E ITALISË
nga fjala vlerësuese e prof. MATTEO MANDALA, sot, në lidhjen e drejtpërdrejtë me sallën e promovimit.

Një libër si ai që Fatmir Toçi u ka kushtuar arbëreshëve ngjall reagime të ndryshme në varësi të atyre, që marrin ta lexojnë. Për shqiptarët e Shqipërisë dhe, më gjerë, të Ballkanit është si të shohin një film të vjetër, ku tregohen peripecitë e një populli, të popullit të tyre, i cili ka prodhuar histori më tepër se ç’ka qenë në gjendje të konsumojë: nga epopea e Skënderbeut deri te krijimi i një trajte të re identiteti, te pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore dhe politike të vendit, që i ka mikpritur, deri te të dëshmuarit konkret të
zotërimit të një force të pamposhtur, që lë një përshtypje të veçantë dhe që është aq e spikatur, sa rrallë ndeshet në mjedise të tjera antropologjike. Me një fjalë, shqiptari i sotëm do të ishte në thelb i një mendjeje me Pier Paolo Pazolinin, i cili e përkufizoi dukurinë e arbëreshëve si “një mrekulli antropologjike” dhe
Toçi na jep një pamje të plotë, do të guxoja të thoja madje enciklopedike, të kësaj mrekullie.
Por ndryshe do të ishte reagimi i një arbëreshi pas leximit të këtij libri. Ai do të gjente atje rindërtimin e hollësishëm, të përpiktë, madje pedant, të të gjitha elementeve, që bien në sy gjatë një shikimi të sipërfaqshëm, por që shpesh nuk i bëjnë përshtypje dikujt, që ka lindur dhe që vazhdon të jetojë në gjirin e një kulture të tillë. Është njëlloj si të qëndrosh përpara pasqyrës dhe të shikosh pasqyrimin tënd atje me një ndjenjë dyzimi, pasqyrim i cili e ndryshon, nganjëherë e shtrembëron, rrokjen e realitetit,
por në fund të fundit ia rikthen këtë realitet lexuesit në një trajtë të plotë, sikundër nuk e kishte perceptuar kurrë më parë.
Pikërisht kjo ka qenë ndjesia, që më lindi që nga botimi i parë i këtij libri të vëllimshëm, të cilin e vlerësoj si një dhuratë të vërtetë që i bëhet komunitetit, pjesëtar i së cilës kam nderi të jem dhe në emër
të së cilës, ndonëse askush nuk ma ka dhënë lejen për një gjë të tillë, dëshiroj ta falënderoj Fatmir Toçin për këtë portret të pazakontë shumëdimensional të botës arbëreshe.