Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar sot se kanë nisur nga SPAK dhe Prokuroria e Tiranës hetimet për rastet e dyshimta të ankimuara për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas Celibashit, “për zgjedhjet e 25 prillit 2021 në KQZ janë depozituar 10 kërkesa për informacion dhe 2 vendime për sekuestrime të materialeve zgjedhore nga SPAK dhe Prokuroria Tiranë, Gjirokastër, Pukë, Vlorë dhe Elbasan. Pamje filmike të procesit të numërimit janë kërkuar dhe nga Policia e Tiranës.”

Sipas kreut të KQZ-së, kanë nisur hetimet ku akuzat janë të ndryshme. “Falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve, pengimi i subjekteve zgjedhore, votimi më shumë se një herë pa u identifikuar, shkeljen e fshehtësisë së votimit, korrupsionin aktiv në zgjedhje, kanosje/dhunim të pjesëmarrësve në zgjedhje, marrje ose përdorim të paligjshëm i dokumenteve të identifikimit”, radhit ai.

Pas mbylljes së procesit të shqyrtimit të ankimeve administrative për zgjedhjet 25 prill 2021, KQZ do të referojë në Prokurori të gjitha rastet e dyshimta të shkeljeve zgjedhore.