Kryeministri Edi Rama, në inaugurimin e nisjes së punimeve për aeroportin e Vlorës, e konsideroi këtë vepër si “historike për Shqipërinë dhe Kosovën”.

“Gjithë ajo vonesë, gjithë ai stres për të cilin vlonjatët kontribuan me gjithë ato përqeshjet e tyre karakteristike dhe romuzet e tyre tradicionale, u kthye në mirësi sepse sot jemi këtu me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Aeroporti i Vlorës do të garantojë sinergjinë me aeroportet e tjera. Do të ketë fluturime të drejtpërdrejta transoqeanike, por për këtë duhet të kesh aleanca edhe me aeroporte të tjera, që të krijohet një sistem ku aeroportet mbështesin dhe plotësojnë njëra-tjetrën”, tha Rama.

Kryeministri Rama shpjegoi edhe peripecitë e hasura gjatë rrugës për këtë projekt si dhe padurimin e vlonjatëve për këtë vepër.

Rama: Vlora ka historinë e saj për transportin ajror, këtu ku ndodhemi është ndërtuar dhe aerodromi që në 1920, i cili përdorej për arsye ushtarake. Në këto gjurmë ne sot fillojmë një histori të re, me një mik të mirë, me një njeri më të shquar të sipërmarrjes sonë. Personalitet që me veprat e tij e ka çuar emrin në shumë vende të botës, çmohet prej shumë njerëzve për veprat që ka bërë. Kam nderin ta konsideroj mikun tim, bacën Behghet, për përshirjen në këtë aventurë të përbashkët. Për të ardhur deri këtu ka qenë më e vështira, për dreq duhej bërë në Vlorë, mu desh të përballoja të gjithë padurimin e vlonjatëve që dihet se janë kampionët e padurimit në të gjithë universin shqiptar.