Një shqiptar i identifikuar si D.Sharku është dënuar nga gjykata në Sheffield, pasi akuzohet për kultivimin e disa bimëve kanabis në një banesë në Rotherham.

Agjentja që ka zbuluar këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike, Victoria Rose, u shpreh në gjykatë se Sharku kishte kthyer dy dhoma në ferma kanabisi të cilat kishin ndriçim të shtuar, që ndihmon në rritjen e bimëve.

Rose u shpreh se policia gjatë aksionit kishte zbuluar gjithsej më shumë se 1 mijë bimë. Po ashtu mësohet se nëse e gjithë droga do të hidhej në treg mund të kapte vlerën deri në 200 mijë Paund.

Nga ana tjetër Sharku, që tani njihet si kopshtar, u shpreh para trupës gjykuese se ishte detyruar që të mbillte kanabis nga tre shqiptarë, pasi ai në Angli kishte punuar si piktor në muajt e parë pas ardhjes nga Shqipëria.

Pasi gjykata dëgjoi pretendimet e tij, ai u shpall fajtor për prodhim të lëndëve narkotike dhe tani do të vuajë 18 muaj burgim.