Një akt vandal ka ndodhur gjatë natës në kalanë e qytetit të Lezhës. Persona të paidentifikuar kanë dhunuar monumentin mesjetar, duke shkulur gurët antikë dhe hedhur mbi zyrën e informacionit, që është shkatërruar thuajse plotësisht.

Dëmtimi është konstatuar mëngjesin e së dielës nga punonjësit e kalasë, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Këta të fundit kanë kryer veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, por pa arritur ende që të zbulojnë autorët e dhunimit të monumentit.

Sipas specialistit të Monumenteve të Kulturës, Ded Margjoni, dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm, por shpreson që ngjarja të zbardhet sa më parë.

Kjo është e disata herë që Kalaja e Lezhës dhunohet nga persona të papërgjegjshëm, por jo në përmasa të kësaj natyre. Në këtë monument kulture mungon roja gjatë natës apo survejimi me kamera vëzhgimi, çka do të minimizonte dëmtimin e mureve antike.