Shtetet e Bashkuara presin që Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen angazhimeve të marra në Uashington siç thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Më 4 shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia nenshkruan dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit krijon një bazë për marrëveshjet e ardhshme dhe ofron mundësi për bashkëpunim më të gjerë midis palëve. Detyrimet e marra, veçse sjellin përfitime për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës dhe i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me zbatimin e tyre.”, raporton DASH.

Marrëveshja, ndër të tjera parashikon angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore mes kryeqyteteve të tyre. Po ashtu marrëveshja, detyron Kosovën të bëhet pjesë e një iniciative për lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore, që do ta përfshijë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

I pyetur të mërkurën pas mbledhjes së qeverisë për zbatimin e marrëveshjes, kryeministri Albin Kurti ka minimzuar pikat e tjera të Marrëveshjes së Uashingtonit, duke thënë se “çështja më e rëndësishme e saj është ajo e fundit, e cila tashmë është realizuar”. Fjala është për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.