Një studim i ri ka zbuluar se koronavirusi është shumë i zakonshëm tashmë te kafshët shtëpiake, pronari i të cilave ka qenë i infektuar me virusin.

Rezultatet janë nxjerrë pas marrjes së tamponit të 310 kafshëve në 196 shtëpi ku është regjistruar të paktën një person i infektuar.

Sipas të dhënave 6 mace dhe 7 qen rezultuan pozitivë, ndërsa 54 kafshë të tjera kishin krijuar antitrupa.

“Nëse keni Covid duhet të shmangni kontaktet me kafshët shtëpiake njësoj siç bëni me njerëzit e tjerë. Shqetësimi kryesor nuk është shëndeti i kafshëve, por rreziku i mundshëm se ato mund ta ruajnë virusin për ta rishpërndarë më tej sërish te njerëzit”, u shpreh doktor Els Broens nga universiteti i Utrecht.

Në studim është vënë re gjithashtu se pjesa më e madhe e kafshëve janë asimptomatike ose shfaqin simptoma të lehta deri në të mesme nga Covid.