Lauren Chadwick – Euronews

President rus Vladimir Putin kërkon që NATO të qëndrojë larg Ukrainës, por edhe vendeve të tjera anëtare të ish-Bashkimit Sovjetik.

Disa pretendojnë se kjo është gjeneza e vendosjes së 150 mijë trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën, ngjarje e cili ngjalli frikën e një pushtimi të mundshëm. Por Moska e ka hedhur poshtë këtë skenar.

Kur u themelua NATO?

Dymbëdhjetë shtete firmosën Traktatin e Atlantikut të Veriut në vitin 1949, si një aleancë për t’u mbrojtur nga agresioni i mundshëm i Bashkimit Sovjetik.

Me pak fjalë, traktati është një zotim i vendeve anëtare për të mbrojtur njëra-tjetrën në rast të një sulmi.

“Sulmi ndaj një shteti … konsiderohet si sulm kundrejt të gjitha shteteve”, përcakton Neni 5 i traktatit.

Cili është procesi i anëtarësimit në NATO?

30 shtete i janë bashkuar NATO-s në 70 vitet e fundit. Vendet anëtare kanë të drejtë të ftojnë një tjetër shtet në Europë që t’i bashkohet organizatës.

Kandidatët e mundshëm duhet të përcjellin vlera demokratike si dhe të ofrojnë mbështetje për sigurinë mbarë euro-atlantike në mënyrë që të merren në konsideratë.

Shtetet e ftuara marrin një plan-veprim për anëtarësimin, i cili përcakton hap pas hapi rrugëtimin drejt anëtarësimit.

Më pas, 30 anëtarët duhet të bien dakord në mënyrë unanime për pranuar kërkesën për anëtarësim të një shteti në organizatë.

A është Ukraina pranë anëtarësimit?

Në samitin e NATO-s mbajtur në Bukuresht në 2008, aleanca vlerësoi aspiratat për anëtarësim të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, si dhe ranë parimisht dakord se “këto vende do të bëhen anëtare të NATO”.

Por as Ukraina e as Gjeorgjia nuk morën plan-veprimin e nevojshëm.

“Nuk ka pasur asnjë lëvizje prej afro 14 vitesh”, thotë Samuel Charap, ekspert i shkencave politike pranë korporatës RAND.

Asokohe, ish-presidenti Ukrainës, i njohur për lidhjet e tij të afërta me Rusinë, Viktor Yanukovych u shpreh se anëtarësimi në NATO nuk qe i nevojshëm. Në 2010 parlamenti votoi për të përftuar një status i cili nuk do ta angazhonte më me NATO.

Por pas largimit të Yanukovych dhe aneksimit të Krimesë nga Putin, kryeministri Arseniy Yatsenyuk tha se këndvështrimi i Ukrainës kundrejt NATO-s kishte ndryshuar.

Parlamenti ukrainas miratoi një legjislacion në 2017 ku ritheksoi objektivin për t’iu bashkuar aleancës, duke votuar dhe një sërë ndryshimesh për ta bërë këtë zotim pjesë të Kushtetutës.

Ukraina mori statusin e vendit partner të NATO me mundësi të zgjeruara në 2020, gjë e cila thjeshtësoi më shumë shkëmbime informacionesh dhe qasje tek ushtrimet ushtarake me organizatën.

Presidenti aktual Volodymyr Zelenskyy theksoi këtë muaj se objektivi i Ukrainës për t’iu bashkuar NATO është “i gdhendur në Kushtetutë dhe mbetet i pandryshueshëm”.

Çfarë e pengon Ukrainën?

Rafael Loss nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme thotë se Ukraina nuk i përmbush kriteret për t’u bërë vend anëtar.

Nga ana politike, shtetet anëtare duhet të zbatojnë reforma sipas planit të tyre të anëtarësimit, ndërsa nga ana ushtarake, një vendi i duhet të “ndihmojë për të përforcuar sigurinë e aleancës e jo ta dëmtojë atë”, tha Loss.

Me fjalë të tjera, veprimet e Putinit në 2014 kanë ulur shanset që Ukraina të bëhet ndonjëherë vend anëtar për shkak të konfliktit territorial të Krimesë, shtoi ai.

“Duke pushtuar Ukrainën në 2014 dhe Gjeorgjinë në 2008, Putin i vendosi një veto të fortë anëtarësimit të këtyre dy shteteve”, deklaron Loss.

William Alberque drejtor i strategjisë dhe kontrollit të armëve në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike thotë se me gjithë përmirësimin e Ukrainës në nivel ushtarak që prej 2014, ka ende shumë për të bërë në fushën e reformave ligjore, ekonomike dhe kundër korrupsionit përpara hyrjes në NATO.

Por nga ana tjetër, ai nuk është i mendimit se problemet territoriale me Rusinë përbëjnë problem për anëtarësimin.

“Gjermania ka qenë e pushtuar nga Bashkimi Sovjetik përgjatë Luftës së Ftohtë, por megjithatë iu bashkuar aleancës në 1955. Në fakt, projekti për ribashkimin e Gjermanisë ishte një nga kauzat kryesore të Perëndimit dhe NATO”, shtoi ai.

Nëse Ukrainë me të vërtetë do i bashkohej aleancës, atëherë “në thelb, vendet anëtarë do të nisnin një luftë të brendshme me Rusinë, kështu që kjo nuk ka shumë të ngjarë se do të ndodhë”, thotë Charap.

Presidenti i SHBA Joe Biden është shprehur më parë se nuk do të dërgojë trupa amerikane në rast se Rusia pushton Ukrainën, gjë e cila do të detyronte edhe 30 vendet e tjera anëtare të merrnin të njëjtin vendim.

“Mendoj se anëtarësimi në NATO i Ukrainës është ende shumë larg”, përfundoi Loss.