Autoritetet ruse ndaluan kritikun e Kremlinit Alexei Navalny, pak pasi ky mbërriti të dielën në Moskë.

Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) raportoi se avioni me të cilin ai po udhëtonte, pritej të zbriste në aeroportin Sheremetyevo, një nga katër aeroportet që ka Moska.

Dhjetëra mbështetës të Navalny-it ishin mbledhur atje në pritje të tij, mirëpo gjatë fluturimit avioni ndryshoi destinacion duke u ulur në aeroportin Vnukovo.

Fillimisht piloti i avionit njoftoi për 30 minuta vonesë për shkak të “kushteve teknike”, përpara se të lajmëronte sërish se avioni do t’i drejtohej Sheremetyevos dhe jo Vnukovos, raportoi një gazetar i AFP-së që ndodhej në bord.

Udhëheqësi i opozitës ruse deklaroi të mërkurën se do të kthehej në vendlindje disa muaj pasi qe helmuar prej një agjenti kimik të quajtur Noviçok, helmim për të cilin ai ka akuzuar udhëheqjen politike të Moskës. Autoritetet ruse kanë deklaruar se ai do të arrestohet nëse kthehej, ndërkohë që në disa raste akuzat e tij janë mohuar edhe nga vetë presidenti Vladimir Putin.