Krenar Alimehmeti u zgjodh në krye të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, pas një dite me përplasje të ashpra mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në një komunikim për shtyp FSHF ishte sfiduese. “Krenar Alimehmeti fiton kundër Erion Velisë, zgjidhet kryetar i SHRF Tiranë”, shkruhej në njoftimin e FSHF-së. Sipas njoftimit për shtyp të FSHF-s Alimehmeti, një prej futbollistëve të njohur të Tiranës, mori 44 vota nga 65 delegatë, dy vota shkuan për rivalin e tij Eduard Prodani dhe 1 votë u shpall e pavlefshme. 18 delegatë sëbashku me Prodanin u larguan nga takimi me pretendimin se një pjesë e anëtarëve votues ishin shtuar sëfundmi.

Në një bisedë me BIRN jashtë mbledhjes Prodani pretendoi se në sallë duhej të ishin vetëm 41 zgjedhës dhe se 20 ishin shtuar sëfundmi nga FSHF. Prodani tha se FSHF nuk e kishte bërë publike listën e anëtarëve të shoqatave që do të votonin. “Unë nuk e dija ku të bëja fushatë”, tha Prodani duke këmbëngulur se zgjedhjet nuk ishin legjitime.

Por akuzat u mohuan nga FSHF.  Andi Verçani, drejtor për mediat pranë FSHF-së, i tha BIRN se numri i delegatëve ishte më i madh se ai i organizatave pjesëmarrësve, pasi disa prej organizatave kishin më shumë se një delegat. “Partizani apo Tirana, kanë për shembull nga tre delegatë”, tha Verçani.

Më herët gjatë ditës FSHF akuzoi Veliaj se kishte shantazhuar anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit që të votonin për kandidatin rival të Alimehmetit, Eduard Prodanin. Në një audio të takimit të Veliaj dhe anëtarëve të shoqatës, e cila u bë publike nga FSHF disa orë para mbledhjes, kryebashkiaku u kërkon pjesëmarrësve të nënshkruaj deklarata noteriale sipas të cilave hiqnin dorë nga ato që kishin firmosur më herët. Veliaj thotë se komuniteti i futbollit ishte trajtuar si dele dhe fyen rëndë Sulejman Memën, ish-trajnerë i Tiranës dhe drejtuesi në detyrë i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tirana.

Pas mbledhjes që nxori fitues Alimehmetin, Veliaj mbajti një takim të tijin në Parkun Olimpik me ato që ai tha ishin përfaqësues ligjorë të shoqatave sportive të Tiranës. Veliaj këmbënguli se audio e rrjedhur në të cilën ai bën thirrje për të bërë shurrën në zyrat e FSHF-së ishte gjuha që përdorej në dhomat e zhveshjes.

“Kërkoj ndjesë për këdo që është ofenduar, nuk është ai stili im. Por jemi një grup çunash siç  në dhomën e ndërrimit për çfarë ndodh dhe për si do luajmë dhe për t’i dhënë zemër skuadrës”, tha Veliaj, që shtoi se nuk i hiqte presje asaj që kishte thënë.

Veliaj këmbënguli te kërcënimet për ndjekje penale, për ato që ai pretendoi se kishin falsifikuar përfaqësinë në takimin për zgjedhjen e kreut të Shoqatës Rajonale.  Ndërsa ironizoi ata që morën pjesë në votime si ishin vezë në bikurina, duke aluduar për biznesin e Presidentit të FSHF-së Armando Duka, i cili garon për një mandat të gjashtë. Ai e akuzoi Dukën si kryetar bande dhe këmbënguli se do të vijonte betejën.