Trajneri i Everton, Carlo Ancelotti, tha se klubet themeluese të Superligës gabuan duke mos përfillur mendimet e lojtarëve dhe tifozëve. “Big Six” të Premier League u regjistrua në këtë kompeticion të dielën, për t’u tërhequr vetëm 48 orë më vonë, pas reagimit nga tifozët, ekspertët, klubet e tjera dhe palët e interesuara.

Ancelotti pranon se fillimisht mendoi se lajmi ishte një lloj shakaje: “Reagimi im i menjëhershëm ishte se ata po bënin shaka. Për çdo mbështetës të futbollit ishte një ditë e çuditshme, një surprizë. Kemi dëgjuar për Superligën në muajt e fundit, por isha i sigurt se nuk do të ndodhte. Çfarë mund të them? Ata ishin gabim. Presidentët ishin gabim, sepse nuk morën parasysh lojtarët, trajnerët dhe tifozët. Ata donin të ndërtonin një garë pa merita sportive. Kjo nuk është e pranueshme, sepse në kulturën tonë jemi edukuar që të kemi merita sportive. Ata gabuan plotësisht”.

Pronari i Evertonit, Farhad Moshiri, bëri thirrje që klubet e përfshira të penalizohen, por Ancelotti është më paqësor në këtë drejtim: “Unë nuk jam personi i duhur për të thënë nëse duhen ndëshkuar. Të gjithë mund të bëjnë gabime, e rëndësishme është të reflektosh”. Ndërsa Ancelotti nuk është tifoz i Superligës, ai mendon se Liga e Kampionëve mund të përmirësohet ndjeshëm: “Mendoj se Superliga, siç e propozuan është e pamundur, por një mënyrë e re e Champions-it mund të arrihet. Në vitin 2024 do të ketë një format të ri për Ligën e Kampionëve dhe atje mendoj se mund të flasin dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për ta bërë këtë garë gjithnjë e më emocionuese dhe konkurruese. Të gjithë ne dëshirojmë që Champions-i të jetë më konkurrues. Ajo bëhet emocionuese nga marsi, por mund të jetë intriguese që nga shtatori. Unë mendoj se formati i ri do të jetë më i mirë, më emocionues që nga fillimi. Besoj se 12 klubet nuk ishin të lumtur për këtë. Nëse do të ishin të lumtur, mund ta pranonin”.