Barcelona-Paris Saint Germain dhe Atletico Madrid-Chelsea do të jenë dy supersfidat e raundit të 1/8-ave të UEFA Champions League.

Në shortin e hedhur në Nyon të Zvicrës ku u përcaktua rrugëtimi drejt finales së Stambollit për 16 më të mirat e turneut, goglat vendosën për të disatën herë në këto vitet e fundit, Barcelonën përballë Paris Saint Germain në përballjet me eliminim direkt, ndërkohë që edhe Atletico që ishte një nga dy skuadrat më të forta të vazos së dytë përkrah blaugranave do të ketë një përballje “zjarri” ndaj Chelsea-t të Lampard.

Short i lehtë deri diku për Juventusin që do të sfidojë Porton, ndërkohë që edhe Reali i Madridit pati një short të pranueshëm përballë Atalantës, ashtu si Bayern Munich që do të ndeshet me Lazion me përballjen e parë që do të luhet në Olimpico.

Borussia Moenchengladbach një nga skuadrat surprizë të këtij raundi do të jetë kundërshtari i Manchester City-t. Liverpooli do të masë forcat me gjermanët e Leipzig ndërkohë që një nga përballjet më të baraspeshuara të raundit të 1/8-ave mund të konsiderohet ajo mes Sevillas dhe Borussias së Dortmundit.