Një letër e Ambasadës Franceze në Shqipëri, drejtuar Ministrisë për Punët e Jashtme, ka sjellë reagimin e kryeministrit Rama. Ai i ka kthyer përgjigje një qytetari në rrjetet sociale për këtë çështje dhe thotë se nuk ka sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën.

Rama shprehet se nuk e harron asnjëherë ndihmën që jep BE-ja për vendin tonë, por vijon të mbajë të njëjtin qëndrim kritik në lidhje me shpërndarjen e vaksinës. Sipas kreut të qeverisë, Bashkimi Europian duhet të kishte dhënë të paktën disa doza për mjekët.

Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën në rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë, qyshse vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për njëmijë e një arsye, përfshire pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet. Unë kam folur për një çështje konkrete në një situatë konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë! Lënia jashtë e vendeve të rajonit tonë në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton! Ndërsa ankesa e ambasadës franceze meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tëra menjëherë në asnjë vend të BE”.

Ankesa e ambasadës, sipas Ramës, nuk ndryshon mendimin e tij që ka për Francën si një ndër vendet më të mrekullueshme të botës dhe njëkohësisht as për integrimin në BE. Megjithatë, kreu i qeverisë thekson se ambasada ka nxjerrë nga konteksti fjalët që ka thënë.

“Franca është jo vetëm një nga vendet më të mrekullueshme të botës e më të përparuara të Europës në çdo drejtim, as thjesht një vend mik e aleat i Shqipërisë, po edhe një vend i veçantë në  zemrën e në mendjen time, ashtu sikundër është edhe BE-ja një amanet e një destinacion i patjetërsueshëm i Shqipërisë e shqiptarëve. Ankesa e ambasadës franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francën edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, si për mua që flas në emër të Shqipërisë. Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e ambasadës franceze, gabon njësoj siç gaboi ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje! Një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s’ka pse mërzitet, se unë jo e jo, çfarë nuk dëgjoj po nuk mërzitem”, shkruan Rama.

Në një letër dërguar Ministrisë së Jashtme, ambasada franceze shkruante se Rama akuzoi qartë gjatë një transmetimi televiziv “vendet anëtare të Bashkimit Europian për egoizëm dhe cinizëm”. Ndër të tjera, ambasada kujtonte se BE-ja është donatori më i madh në Shqipëri.

“Kryeministri ngriti pyetjen se pse Franca duhet të ketë një stok vaksinash që nuk mund t’i përdorë në vend që t’i ndajë me të tjerët. Përveç natyrës së pavërtetë të këtij informacioni, por që mund të jetë shumë i ndjeshëm për mendjet e njerëzve, kjo ambasadë konsideron se nuk është e përshtatshme të sulmosh në këtë mënyrë nominativë një vend mik dhe aleat”, thuhej në ankesën e ambasadës