KUNDËR DIJES SHËRBËTORE

[M]ë duket e papranueshme, madje e pafalshme, që debatet përndryshe normale, rreth një çështjeje të diskutueshme brenda një fushe të caktuar të dijes, të kornizohen me terma kombëtariste dhe kundërshtari të akuzohet deri edhe si “antishqiptar”. E papranueshme, jo thjesht ngaqë forma të tilla debati janë në thelb primitive dhe dëshmojnë mungesë profesionalizmi dhe serioziteti; por edhe ngaqë akuzuesit lënë të kuptohet se, brenda një fushe të dijes, ka pozicionime që janë më kombëtariste se të tjerat, më pro-shqiptare se të tjerat, e kështu me radhë.

Qëndrime të tilla, kur i dëgjon të shprehen haptazi edhe në forume me pretendime serioze, mund ta shpien dijen kombëtare në udhë pa krye, duke e paralizuar.

Është përndryshe absurde që një studiues, që vihet të analizojë – të themi – një problem të historisë ose të historisë së gjuhës, të kushtëzohet nga nevoja (ideologjike) që hipoteza e tij të përmbushë një formulë të caktuar (p.sh. të na nxjerrë ne shqiptarëve “të lashtë” dhe të ushqejë mite të tjera populiste). Po të kushtëzohej kështu, studiuesi ynë nuk do të bënte më shkencë, por ideologji, në mos thjesht propagandë.

Për të njëjtën arsye, dijes që merret me çështje të historisë së kulturës, të gjuhës dhe të institucioneve, nuk mund t’i jepen e aq më pak t’i imponohen objektiva paraprakë, të kushtëzuar nga “nevojat kombëtare” – sepse ajo dije u shërben nevojave kombëtare thjesht duke ruajtur pavarësinë, integritetin shkencor dhe përkushtimin ndaj së vërtetës dhe objektivitetit.

Për fat të keq, jo rrallë kam vënë re që edhe vetë Akademia e Shkencave të tundohet nga ky pseudo-mision – duke e parë veten si institucionin që do t’u shërbejë interesave kombëtarë jo aq duke punuar me integritet dhe përkushtim, sa duke synuar të provojë, me veprimtarinë e vet, disa teza që ideologjia kombëtariste i ka bërë të vetat me kohë; ose duke sekretuar ideologji kombëtariste.

Dhe ashtu është krijuar ndonjëherë bindja se dija institucionale në Shqipëri e ka për detyrë (“të shenjtë”) që të mobilizohet për “mbrojtjen” e ideologjisë kombëtariste, në luftë me tezat “anti-shqiptare” të armiqve shekullorë të kombit tonë. Kjo bindje, nëse nuk luftohet haptazi dhe parimisht, mund ta gërryejë dijen nga brenda dhe ta shndërrojë, gradualisht, në dogmatizëm.

Natyrisht, një hipotezë çfarëdo, mund të lërë për të dëshiruar, ose edhe të jetë në thelb e gabuar; por kjo nuk e bën ipso facto antishqiptare, as e pozicionon si në kundërshtim me interesat kombëtarë. Është mjerane të kërkosh t’i fitosh debatet dhe të imponosh tezat e tua, duke e denoncuar kundërshtarin tënd si “antishqiptar” ose “antikombëtar”.

Ka njerëz, shpesh pa ndonjë status të përcaktuar përtej atij të ligjëruesit publik, që po ngrenë zërin me të madhe, për ta mbrojtur gjuhësinë historike, historinë, folklorin dhe fusha të tjera të dijes sociale, nga… dija; shpesh duke i diskredituar kundërshtarët e tyre si “antishqiptarë”. Këtyre njerëzve, të kapardisur në petkat e mëndafshta të priftërinjve kombëtarë, u hapen dyer dhe u ofrohen kolltuqe në presidiume e kolegjiume, karrige të përhershme në borde “strategjike” të kulturës dhe kamera e mikrofonë në studiot televizive të kombit. Jetojmë në kohë kur të deklarohesh patriot vlen më shumë se të jesh patriot. Jetojmë në kohë kur për një takëm personalitetesh publike patriotizmi paguan mirë, si profesion.

Efekt i menjëhershëm i këtij deformimi ideologjik në dije është që studiuesit ligështohen e tuten, e humbin dëshirën për kërkim të pavarur, dhe binden se mund të bëjnë përpara, në institucionet e dijes dhe në profesionin e tyre, duke u konformuar deri edhe me tezat më banale, më foshnjore dhe më skematike, të një kombëtarizmi rudimentar, romantik dhe intolerant. Dhe nëse këtë e bëjnë studiuesit, çfarë mund të presësh nga popullarizuesit e dijes, menaxherët e kulturës dhe liderët e opinionit publik?

Dikush duhet të ngrihet, pra, dhe të shpjegojë se dija nuk është as mund të jetë demokratike dhe nuk synon që të nginjë me përralla një publik, të cilin shkolla nuk arrin ta formojë as edhe me rudimentet e të menduarit kritik; dhe se përkundrazi, dija që kërkon të jetë e tillë nuk funksionon dot pa integritetin profesional dhe moral të atyre që e krijojnë dhe e riprodhojnë.

(Nxjerrë nga shkrimi “Rreth integritetit të dijes”, https://peizazhe.com/2023/04/14/rreth-integritetit-te-dijes/)