Partitë opozitare në Izrael arritën një marrëveshje për të formuar një koalicion qeverisës, çka mund të shënojë fundin e udhëheqjes 12-vjeçare të Netanyahut si kryeministër i vendit.

Yair Lapid, udhëheqësi i partisë qendrore Yesh Atid, pak minuat para përfundimit të afatit në mesnatë njoftoi se ishte formuar një koalicion me tetë fraksione.

Me një marrëveshje rotacioni, kreu i partisë së krahut të djathtë Yamina, Naftali Bennett, do të shërbejë i pari si kryeministër i vendit për t’ia dorëzuar më pas detyrën Lapid.

Përpara se qeveria e re të betohet duhet të marrë edhe votëbesimin në parlament, çka pritet të ndodh brenda 12 ditëve.

Në një deklaratë, Lapid një ish-drejtues televiziv dhe ministër i financave tha se ai e kishte informuar presidentin Reuven Rivlin për marrëveshjen, duke shtuar: “Unë premtoj se kjo qeveri do të punojë në shërbim të të gjithë qytetarëve izraelitë, atyre që e votuan atë dhe atyre që nuk e votuan. Ajo do të respektojë kundërshtarët dhe do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të bashkuar dhe lidhur të gjitha pjesët e shoqërisë izraelite”.

Në mediat izraelite u shpërndanë edhe foto nga momentet kur Lapid, Bennet dhe udhëheqësi i partisë islamike islamike Raam, Mansour Abbas, nënshkruan marrëveshjen, të cilën shumë e mendonin të pamundur.

Qeveria e re, nëse betohet, do të përballet me sfida të konsiderueshme diplomatike, të sigurisë dhe ekonomike si: Irani, procesi i paqes me palestinezët, një hetim i krimeve të luftës nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë.

Sakaq, një fund i mandatit të Netanyahut mund të sjellë lehtësim nga trazirat politike të brendshme.

Nëse koalicioni nuk arrin të fitojë mbështetjen e një maxhorance në parlament me 120 vende, ekziston rreziku që vendi të shkojë në zgjedhje për herë të pestë në dy vjet.