Sot rinisin fluturimet midis Gjermanisë dhe Rusisë.

Njoftimi vjen pasi trafiku i linjave ajrore midis dy vendeve u pezullua të martën dhe të mërkurën.

Një ditë më parë, Ministria e Transportit në Berlin bëri me dije se Gjermania kishte pezulluar uljet e linjave ajrore ruse në territorin e saj sepse dyshohet se Rusia nuk autorizonte mbërritjet e fluturimeve të Lufthansa në aeroportet e saj.

Lëvizjet erdhën mes tensioneve të shtuara midis Perëndimit dhe Moskës, pasi Bjellorusia devijoi një avion pasagjerësh për të arrestuar një gazetar opozitar të Lukashenkos.

Ky veprim bëri që vendet evropiane të vendosin të ndalojnë përdorimin e hapësirës ajrore bjelloruse.

Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian u bëri thirrje autoriteteve kombëtare të bllokut t’u tregojnë operatorëve të tyre të avionëve “që kryerja e operacioneve në hapësirën ajrore të Bjellorusisë nuk lejohet më, përveç nëse kërkohet për operacione të sigurta në rrethana të paparashikuara”.