Nga Dr. Aristotel Spiro

U njoha me artikullin e zotit Artur Shkurti, në të cilin ai kritikon librin që fitoi çmim në Panairin XXVI të Librit zhvilluar në Tiranë (15-19 nëntor 2023), si dhe jurinë që dha çmimin. Artikulli mban titullin «Shitja e atdheut nga Shoqata e Botuesve dhe Juria e Panairit» dhe pasohet nga nëntitulli: «Klani “Oxhaku heuristik” i shekullit 21 synon përçarjen fetare dhe shkombëtarizimin duke sulmuar Vëllezërit Frashëri, Mësonjëtoren, Rilindjen Kombëtare» si dhe nga nëntitulli i dytë: «Kritike librit «Frashëri i shquar, i panjohur» me autor Thomas Frashëri, promovuar nga Departamenti i Historisë në Universitetin e Tiranës, nga Kisha Ortodokse dhe nga Partia Socialiste».
Shkruesi i atij artikulli është pronar dhe drejtues i një shkolle private. Nga artikulli i tij njoftohemi gjithashtu se ai është edhe autori i librit titullgjatë të përmendur më lart, shkruar përjashtimisht për të kritikuar dhe hedhur poshtë librin «Frashëri i shquar, i panjohur» me autor Thomas Frashërin.
Pas një leximi të kujdesshëm vura re me keqardhje që, përveç pakënaqësisë dhe helmit të derdhur me bollëk, artikulli ka disa të meta, të cilat e vënë në dyshim të gjithë përmbajtjen e tij.
E para, në krejt argumentimin e tij niset nga premisa paragjykuese. Kështu, për artikullshkruesin përshkrimi ose zbulimi i fakteve që nuk përkojnë me perceptimin e tij për ngjarjet dhe figurat historike përbën rrezik për atdheun, i cili u rrezikuaka nga përçarja fetare dhe shkombëtarizimi. Këto janë akuza mjaft të rënda, logjikisht shpërpjesëtimore, që nuk përputhen aspak me realitetin.
Në gjykimet dhe argumentimet e tij artikullshkruesi ndjek një vijë arsyetimi sofist. Meqë Sami Frashëri ka thënë se «s’ka poshtërsi më të madhe se të rrezikosh atdheun për interesa personalë», dhe juria i ka dhënë çmimin një libri duke u nisur nga interesa personale, dhe meqenëse ai nuk është dakord me përmbajtjen e librit, kjo do të thotë se atdheu është vënë në rrezik nga juria dhe anëtarët e saj! Siç dihet, sofizmat janë ose arsyetime logjikisht të pasakta ose arsyetime të vlefshme apo të sakta, të cilat shkelin disa nga parimet që rregullojnë raportet argumentuese. Këto ligje shkelen në vijën argumentuese të artikullshkruesit, ku me lehtësinë më të madhe faktet e paragjykuara dhe të klasifikuara si shkaqe sjellin pasoja të cilat logjika e përgjithshme i pranon si të dëmshme. Njësoj si në rastin e mësuesit të valles tek «Borgjezi fisnik» i Molierit, i cili i argumenton zotit Zhurden se rëndësia e valles nënkupton hedhjen e kujdesshme të hapave në jetë dhe, rrjedhimisht, kushdo që nuk di valle është i destinuar të dështojë në jetë. Dhe, në po atë komedi, mësuesi i muzikës i thotë se muzika është aq e domosdoshme, saqë asnjë shtet nuk mund të ekzistojë pa muzikën, kështu që shkaku i luftërave dhe i çdo gjëje të keqe në botë gjendet tek padija në muzikë.
Sigurisht, nuk mund të pritet që të gjithë të jenë dakord dhe të kënaqur me një libër studimor. Kjo është gjëja më normale në shkencë. Sa për atë që vihet në rrezik atdheu nga një libër studimor është një pohim sa i pabazë aq edhe qesharak. Nga shkenca dhe e vërteta shkencore shoqëria zgjeron njohjen e saj dhe bën një hap drejt lirisë së ndërgjegjes.
Atdheut nuk i vjen e keqja nga shkenca, por nga ata që vetëofrohen të luajnë rolin e gardianit të patriotizmit.
Është me të vërtetë dëshpëruese që skema e argumentimit të artikullshkruesit përfundon në negociimin e interesave të veta dhe të raporteve personale me anëtarë të caktuar të jurisë.
Artikullshkruesi vë në dyshim a priori gjithçka e gjithkënd. Sipas tij, nuk duhet të jenë gazetarë në juri, duke injoruar se një gazetar mund të jetë një lexues i kualifikuar i librave, por edhe shkrimtar, edhe studiues edhe artist.
Ai vë në dyshim a priori dhe pa të drejtë e në bllok integritetin e anëtarëve të jurisë. Duke e paragjykuar jurinë me të dhëna që s’kanë të bëjnë aspak me thelbin e çështjes (qasja kritike e librave të paraqitur), ai nuk merr parasysh të drejtën e saj për të vlerësuar e pandikuar nga konsideratat e jashtme dhe preferencat e ndryshme.
Duke qenë vetë dëshmitar i takimeve dhe diskutimeve në juri mund të pohoj se sa e vështirë është të përzgjedhësh midis shumë e shumë prurjeve letrare, studimore e përkthimore. Në këtë proces, i cili nuk ka qenë i lehtë, nuk ka pasur asnjë paragjykim, asnjë ndikim preferencial, asnjë ndërhyrje të jashtme. Konkurrenca ka qenë e fortë, sidomos në librat studimorë dhe jo detyrimisht mendimet e gjithë anëtarëve të jurisë, përfshirë autorin kanë qenë konverguese. Debate ka pasur për të gjithë librat pa përjashtim. Ka pasur autorë të tjerë të listës së shkurtër (Artan Fuga, Dorian Koçi, Ines Murzaku etj.) që mund të ishin fitues. Debate të forta ka pasur edhe për librin e Th. Frashërit. Ka qenë e vështirë për jurinë të përcaktonte me lehtësi fituesit. Dhe kjo sepse dallimet nga vepra në vepër nuk ishin aq kumbuese që ta veçonin menjëherë fituesin e çmimit. Në këtë vështirësi ndikoi edhe tërheqja e disa botuesve nga gara, si «Dituria» dhe «Ombra», me botime shumë cilësore. Kjo tërheqje u bë pikërisht për të shmangur paragjykimet e opinionit për manipulime të mundshme, gjë që personalisht e gjykova të padrejtë. Nga gara u hoqën padrejtësisht autorë librash shumë të mirë, si Matteo Mandala apo Pëllumb Xhufi, ndërsa libri studimor i Ilir Ikonomit qarkulloi pas mbylljes së afatit të dorëzimit. Nuk dua të them se cili mund të ishte rezultati po të kishin mbetur në garë libra si këta, por me siguri gara do të ishte më e bukur.
Të njëjtën vijë sofiste ndjek artikullshkruesi edhe për Aristotel Spiron, tek i cili nuk sheh studiuesin, por një person me kombësi greke, që botuesi Bujar Hudhri i ka botuar librin “Rrugëtime shqiptaro-greke” (2016). Përfundimet që ai nxjerr janë sa arbitrare aq edhe të papranueshme. Meqenëse Aristotel Spiro është grek, ai nuk duhej të ishte anëtar i jurisë. Një mendim që nuk ndryshon në thelb nga ekstremistët e djathtë. Dhe meqenëse libri i Thomasit paragjykohet se «ndikon axhendën greke të propagandës ku Frashëri nuk trajtohet si pjesë e Historisë së Shqipërisë, vetë Thomasi është «top i propagandës greke», prandaj edhe Aristotel Spiro, cili ka kombësi greke, nuk duhej të ishte në juri. Pohimi i zotit Artur Shkurti është tronditës, sepse zbulon një mendësi paragjykimi, urrejtje dhe verbëri nacionaliste, një fobi të pashpjegueshme ndaj së ndryshmes.
Dhe këto i thotë për një studiues si Aristotel Spiro, i cili gjithë jetën e vet ia ka kushtuar sidomos studimit të shqipes. Vetëm dy vitet e fundit kanë parë dritën e botimit dy studime të rëndësishme: «Nyjat në gjuhën shqipe» (2021), botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe «Për një drejtshkrim shqip modern» (2022), botuar nga UET Press.
Studimi «Për një drejtshkrim shqip modern» rrok çështje themelore, siç është ajo e parimit themelor të drejtshkrimit shqip dhe e parimeve të tjera dytësore. Në Panairin e viti 2022 ky libër u paraqit për konkurrim në kategorinë e librave studimorë me pretendimin për të fituar çmimin e studimit më të mirë. Mirëpo, juria vendosi që çmimin t’ia jepte një libri tjetër. Natyrisht, kjo nuk mund të përbënte shkas që A. Spiro të ngrihej kundër vendimit të jurisë. Ndodh edhe kështu: që një autor mund të mendojë se libri i tij është më i miri, por që juria të mos mendojë detyrimisht ashtu; po ashtu libri fitues mund të mos jetë detyrimisht më i miri ose mund të jenë po aq të mirë edhe libra të tjerë. Por vetëm njëri prej librave do të fitojë. Ky është realiteti.
Me veprën e vet studimore Aristotel Spiro i ka shërbyer gjuhës shqipe shumë më tepër se mjaft individë që nyjëtojnë një ligjëratë boshe nacionaliste dhe kërkojnë të monopolizojnë patriotizmin.
Për mendësinë e ngushtë nacionaliste ka një luftë të pashmangshme midis «shqiptarëve të mirë» dhe «grekëve të këqinj» nga kjo anë dhe midis «grekëve të mirë» dhe «shqiptarëve të këqinj» nga ana tjetër. Mendime ataviste të së kaluarës që i pengojnë popujt të ndërtojnë një komunikim harmonik me njëri-tjetrin.
Me «aksiomat» e veta përjashtuese zoti Artur Shkurti (duke më etiketuar si një qytetar shqiptar me kombësi greke, që patjetër do t’u bëkam zëdhënës i një të ashtuquajture “propagandë filogreke”) penalizon një popullsi të tërë që jeton e punon në Shqipëri. Me këtë u privon të drejtën anëtarëve të kësaj popullsie që të kontribuojnë në zhvillimin dhe lulëzimin e një shoqërie të hapur në një Shqipëri demokratike.
Zoti Artur Shkurti mundohet të vërtetojë edhe paaftësinë shkencore të jurisë apo të anëtarëve të saj duke sjellë ndër të tjera si argument se fjala “akribi”, e përdorur në motivacionin e çmimit të librit më të mirë studimor nuk qenka në fjalorët e anglishtes që ai zotëron. Ky detaj i vogël kthehet në të kundërtën e asaj që synon të tregojë artikullshkruesi: dhe kjo, sepse fjala “akribi” është një term i rëndomtë në ndërkumtimin akademik dhe se purizmi i mëtuar prej tij nëpërmjet zëvendësimit me fjalën “saktësi” jo vetëm që do ta varfëronte përmbajtjen kuptimore të fjalës, por do të dëshmonte njëkohësisht edhe bazën ideologjike të një “incesti” gjuhësor të nënkuptuar.
Të gjitha këto bëhen edhe më shqetësuese, kur zoti Artur Shkurti figuron edhe si pronar dhe drejtues i një shkolle private. Jam seriozisht i shqetësuar, kur vërej se këto mendime të papranueshme, që i shpall pa skrupullin më të vogël në opinionin publik, kalojnë pa u vënë re, sikur të ishin të natyrshme. Jam po aq i shqetësuar, kur mendoj se ç’ndikim kanë tek nxënësit e shkollës ku ai drejton mendime të tilla të dëmshme, që vetëm një brez të ri moralisht të shëndetshëm nuk mund të përgatisin.
Ankesat e zotit Artur Shkurti nuk janë thjesht ankesat për dhënien e një çmimi në një Panair Libri. Janë përpjekje të shqetësuara dhe shqetësuese të përfaqësuesit të një konservatorizmi të skajshëm përjashtues, të shprehura me një mënyrë që nga njëra anë i ul standardet dhe vlerat e komunikimit publik dhe nga ana tjetër synon përjashtimin dhe stigmatizimin e individëve dhe grupeve shoqërore dhe kombëtare nga e drejta e krijimit të vlerave dhe ideve në një shoqëri të shëndetshme të një Shqipërie evropiane.